Fjalë Kyçe

Selimi: S’do të ketë marrëveshje përfundimtare pa u përfshirë çështja e të pagjeturve

Selimi: S’do të ketë marrëveshje përfundimtare pa u përfshirë çështja e të pagjeturve

Ka nisur Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut ku po raportohet lidhur me çështjen e personave të pagjetur në kuadër të dialogut me Serbinë.

Kryeministri Avdullah Hoti nuk po merr pjesë në komision, ndërsa për këtë temë ka deleguar ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi.

Ministri Selimi tha se në dialogun me Serbinë, çështja e të pagjeturve do të jetë çështja e parë.

“Me rinisjen e dialogut në Bruksel jemi deklaruar se çështja e të pagjeturve do të jetë çështja e parë, pa të cilët nuk mund dhe nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Kjo tregon edhe për përkushtimin tonë si Qeveri. Gjatë tri takimeve të zhvilluara në nivel ekspertësh në Bruksel janë vendosur parimet bazë për zgjidhjen efikase të kësaj çështjeje. Në marrëveshjen në Bruksel parashihet të krijohet komision i përbashkët që do të udhëhiqet nga një përfaqësues i BE-së dhe që do të jetë përgjegjës për zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, tha Selimi, raporton KOHA.

Ai shtoi se “Serbia ka informata të bollshme për vendndodhjen e të pagjeturve por ajo vazhdon ta luajë rolin e saj obstruktiv”.

Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj po ashtu ka deleguar një përfaqësues nga dikasteri i saj.