Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka akuzuar rëndë presidentin Hashim Thaçi, i cili sipas tij ka plane ta shpërbëjë Republikën e Kosovës, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Ndër të tjera Selimi në këtë intervistë ka folur edhe për taksën e vendosur ndaj produkteve serbe, nga Qeveria e Kosovës.
Sipas tij Kosova nëse e heq këtë taksë pëson humbje.
”Nuk mund të konstatojmë që taksa po kundërshtohet fuqishëm nga SHBA-ja, por është fakt që po kundërshtohet ashpër nga Serbia, sepse efektin e drejtpërdrejtë e ka në ekonominë e Serbisë. Mirëpo taksa ka efekt edhe në ekonominë e Kosovës, për çka do duhej edhe të dedikohej ajo. Ne e kemi mbështetur taksën, duke e theksuar se nuk është e tëra çfarë Kosova do të duhej të bënte përballë Serbisë në aspektin ekonomik e pse jo edhe politik, sepse ne kemi kërkuar që taksa të jetë pjesë e një pakoje të ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës në raport me Serbinë si reciprocitet i plotë ekonomik, politik dhe tregtar”, ka thënë Selimi.
Mirëpo në anën tjetër Selimi ka thënë që vendimi për taksën nuk është i menduar mirë dhe nuk po arsyetohet si duhet nga qeveria.
“Vendimi i Qeverisë për taksën nuk është mirë i menduar dhe as nuk po e arsyetojnë mirë, por unë pres dhe inkurajoj ata të mos bëjnë hapa mbrapa as me pezullim e as me heqje të taksës, sepse kjo nuk e sjell Kosovën në pikën e nisjes para se të vendosej taksa, por e nxjerr Kosovën një hap edhe më mbrapa sesa ka qenë. Në rast se do ta hiqnim këtë taksë Kosova do ta shpenzonte një mjet kundër Serbisë si mjet strategjik, por mbi të gjitha si vendim qeveritar në fushën e ekonomisë dhe të raporteve me Serbinë”, ka thënë tutje ai.
Ndër të tjera Selimi në këtë intervistë ka folur edhe për rrëzimin e qeverisë, zgjedhjet në vend, bashkëpunimin LVV dhe LDK, organizimin e protestave kundër Thaçit si dhe për Gjykatën Speciale.