Fjalë Kyçe

Selmanaj: Publikimet e detajeve të takimeve nga VV-ja vijnë si pasojë e mosdijes e naivitetit të tyre

Selmanaj: Publikimet e detajeve të takimeve nga VV-ja vijnë si pasojë e mosdijes e naivitetit të tyre

Driton Selmanaj, deputet i zgjedhur i LDK-së, në Interaktiv të KTV-së, tha se nuk ka gjë të keqe nëse një president vjen me marrëveshje politike. Kjo pasi që, siç tha ai, e kemi pasur rastin e Atifete Jahjagës, e cila ka qenë jo-politike, por që, sipas tij, “dihet qasja ndaj saj”.

“Me sistemin politik që e kemi, s’mund të zgjidhet presidenti ndryshe, përpos me marrëveshje politike. E patëm një president konsensual, zonjën Jahjaga, dhe e dimë qasjen e partive politike ndaj saj, respektin ndaj saj, ose autoritetin e saj në proceset politike që kalonte Kosova. Duhet parë normale që postet e mëdha duhet të vijnë përmes marrëveshjeve politike. Ne po themi që duhet të kemi kujdes që asnjë nga partitë në Kosovë të mos ketë pushtet absolut, të mos i marrë tri institucionet kryesore sepse kjo mundësia pastaj për abuzim është e madhe”, tha Selmanaj, duke shtuar se “kur e ke pushtetin absolut, mundësia për me abuzu me pushtetin është shumë e madhe”.

Selmanaj tha se gjatë opozitarzimit me LVV-në patëm dëshmuar se na bashkonin shumë ideale të përbashkëta për ta luftuar të keqen në Kosovë, por tha se “për çudi, për çështje krejtësisht sipërfaqësore, s’po shohim gatishmëri nga LVV-ja”.

“Ata po na akuzojnë neve, e ne nuk po i akuzojmë ata. Na kanë sulmuar pa të drejtë, është anatemuar LDK-ja në këtë kohë të fundit. Nëse të tjerët sulmojnë dhe ti nuk sulmon, dikush mund të të quajë viktimë e dikush ta quajë maturi të skajshme politike. S’kemi dashur ta bëjmë betejë publike mosmarrëveshjen eventuale. Një partneritet aq të madh që e kishim në opozitë, ta prishin kaq shpejt nëpër studio televizive, me video nëpër rrjete sociale… për neve ka qenë e habitshme. S’kemi menduar që Kurti me neve komunikon përmes studiove televizive e Facebookut. Në një vend demokratik, kështu nuk funksionon. Kjo nuk është transparencë. Transparencë është marrëveshja përfundimtare mes nesh, por jo bisedimet mes partnerëve. Ne s’kemi thënë asgjë për ta, s’kemi nxjerrë asnjë detaj nga takimet me ta – jo se s’ka pasur momente komike edhe nga ta. Mund të publikohen më vonë memoare, pas 10 vitesh nxjerrin sekrete, por jo të publikohen detajet e takimeve të mëngjesit, në mbrëmje dhe na ftonin të nesërmen në takim sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Ne mendojmë që pavarësisht kësaj, sepse kjo mund të jetë ndoshta edhe si mungesë e përvojës së tyre, e s’po e them që mund të ketë qenë e qëllimshme, por më shumë si pasojë e mosdijes e naivitetit të tyre, përsëri duhet t’i japim shans që kjo çështje duhet të ndodhë, sepse ne i kemi rritur shpresat te njerëzit se jemi shpresa. Edhe unë kam pritur se do të ndodhë bashkëpunimi me ta. Por, për fat të keq, tash kemi shumë pikëpyetje, por akoma me shumë pikëpyetje sepse është thyer një besim që kishim menduar se e kishim ndërtuar si opozitë”, tha Selmanaj.

Sipas tij, fillimi i “thyerjes” mes dy partnerëve ka ndodhur gjatë një interviste të parë të Glauk Konjufcës në media.

“Intervista e parë e Konjufcës ka qenë shok për LDK-në, dhe kemi thënë: ‘a kështu e paskemi ndërtuar partneritetin për 2 vite me ta, a? A kjo qenka mënyra se si do të qeverisim me ta? A mos nesër për një vendim qeverie, më përpara e marrim vesh nga TV-ja sesa nga takimet tona?’ Më pas, u vazhdua ajo thyerje edhe më 26 dhjetorin. Ka qenë sjellje e papërgjegjshme dhe e njëanshme e VV-së. Propozimi i tij për ne ka qenë i papranueshëm. Ne vendosëm si LDK, që të mos shndërrohemi si bllokues siç na akuzuan, e që nuk ishim por ishte VV-ja, atëherë ne e votuam Konjufcën. Madje ne e kemi dhënë edhe emrin tonë për kryeparlamentar. Ne nuk kërkonim që kandidati i LDK-së të zgjidhej për president, por vetëm zotim të votave të tyre”, u shpreh Selmanaj nga LDK-ja.

“Në takimin e parë, u patëm marrë vesh që të mos flasim asgjë në televizion deri në marrëveshjen përfundimtare. Por, kështu nuk ndodhi nga partneri ynë”, tha ai.

Duke iu përgjigjur deklaratave të Albulena Haxhiut dhe Liburn Aliut që në Rubikon thanë se zgjedhjet janë opsion, Selmanaj tha se duhet pritur Kurtin.

“Pritni ta dëgjojmë zotin Kurti dhe qëndrimin e tij”, tha Selmanaj.