Fjalë Kyçe

Sëmundja e shekullit – Sëmundja që vret

Sëmundja e shekullit – Sëmundja që vret

AIDS-i (Acquired Immune Deficiency Syndrome) apo SIDA është një grup i sëmundjeve që janë si pasojë e shkatërrimit të sistemit mbrojtës (imunitar) të njeriut i shkaktuar nga virusi i njohur si HIV (Human Immunodeficiency Virus – virusi i imunodefiçencës humane). Ky shkaktar gjendet në sekrecionet e organeve gjenitale dhe në gjak.

Me hyrjen në organizmin e njeriut HIV-i shkakton shkatërrimin e sistemit imunitar. Organizmi tek i cili është shkatërruar forca mbrojtëse-imuniteti bëhet i ndjeshëm në çdo infeksion të mëvonshëm. Për shkak të kësaj, organizmi nuk ka mundësi të luftojë kundër infeksioneve dhe tek të sëmurët nga AIDS-i lajmërohen shumë sëmundje të cilat nuk mund të shërohen edhe pse përdoren barëra të ndryshëm.

Përhapja e SIDA-s, ka hyrë tashmë në dhjetëvjeçarin e tretë, duke u bërë shkaku i katërt më i rëndësishëm i vdekjeve në botë. HIV/AIDS ka vrarë më shumë se 3.1 milionë njerëz deri më tani, dhe mendohet se 4.9 milion njerëz e kanë marrë virusin e imunodefiçencës njerëzore (HIV), duke e çuar në 39.4 milionë numrin e njerëzve që jetojnë me këtë virus në të gjithë botën.[1]

HIV-AIDS prek kryesisht të rinjtë dhe përhapet me shpejtësi tek grupet tejet të prekshme. Këto grupe përfshijnë përdoruesit e drogave që merren me injeksion, ofruesit e seksit për para dhe të burgosurit. Njerëzit me HIV mund të mbesin të infektuar për vite me radhë pa e ditur këtë gjë.

HIV/AIDS dhe Ballkani. Sa të rrezikuar jemi?

Tani për tani vendet e Ballkanit kanë një normë të HIV/AIDS nën 0.1%. Këto vende të mbuluara nga studimet, kanë raportuar rreth 2.000 raste me HIV/AIDS qysh prej fillimit të epidemisë në vitin 1985. Në të gjitha vendet, normat e infektimit tek meshkujt i kalojnë ato të femrave. Përhapja e infeksionit është kryesisht seksuale, përkundër përqendrimit të epidemisë tek përdoruesit e drogave nëpërmjet injektimit.

Megjithatë këto të dhëna duhet të interpretohen me kujdes. Në çdo vend mbetet problem kryesor pasaktësia e të dhënave. Rastet e raportuara zyrtarisht të infektimit dhe të sëmundjes shpesh përfaqësojnë vetëm 10-20% të numrit të vërtetë të rasteve.

Përqindja e HIV/AIDS në Ballkan është shumë e ulët dhe është e vështirë të identifikosh modele të qarta të transmetimit dhe prirjet e mundshme. Përkundër përqindjes dhe rastshmërisë së ulët, rreziku i një epidemie është i ndjeshëm. Ekzistojnë disa faktorë të cilët mund ta ushqejnë epideminë përmes krijimit të një mjedisi në të cilin individët kanë më shumë gjasa të angazhohen në një sjellje me rrezikshmëri të lartë. Ballkani ka vuajtur nga konflikte të ashpra si pasojë e të cilëve me mjëra persona janë zhvendosur, janë sjellë forca paqeruajtëse ndërkombëtare dhe punonjës të huaj në rajon, është thelluar varfëria dhe papunësia, sidomos tek të rinjtë dhe është lehtësuar trafikimi i grave dhe i fëmijëve dhe është shtuar puna seksuale komerciale. Nivelet e njohurisë për epideminë dhe për parandalimin e HIV/AIDS janë shumë të ulëta. Po ashtu, konfliktet e luftrave dhe kalimi drejt një ekonomie tregu kanë ndihmuar në prishjen e shërbimeve të shëndetit publik dhe kanë vonuar ngritjen e rrjeteve të përshtatshme për parandalimin e HIV.

Në Shqipëri, mbi 70% e rasteve të raportuara mendohen se e kanë marrë infeksionin jashtë vendit, çka thekson rëndësinë e ndikimit të migrimit.

Tiparet më mbresëlënëse në Ballkan janë mjediset me rrezikshmëri të lartë. Të gjithë faktorët kryesorë të cilët mund të shërbenin si faktorë kontribues për shpërthimin e epidemisë së HIV/AIDS janë të pranishme në Ballkan. Paqëndrueshmëria e rëndë politike, luftrat, kriza ekonomike dhe migrimi në rajon gjatë dhjetë viteve të fundit kanë krijuar varfëri dhe paraqesin sfida të mëdha të cilat i kanë prekur të gjitha vendet, ku më shumë e ku më pak. Këta faktorë kanë krijuar gjithashtu edhe kushtet strukturore të nevojshme për të nxitur pikërisht atë lloj sjellje të rrezikshme dhe ndryshime kulturore të cilat krijojnë prekshmëri ndaj HIV dhe SST (Sëmundjet seksualisht të transmetueshme), përfshirë edhe rritjen e përdorimit të drogave përmes injektimit, punën seksuale komerciale dhe migrimi, si edhe prishja e marrëdhënieve dhe e zakoneve familjare tradicionale. Në të njëjtën kohë, këto vende kanë bërë largimin nga sistemet e shëndetit publik, të arsimit dhe të përkrahjes sociale të tipit dhe kanë bërë përpjekje për t’i reformuar të gjendur përballë shkurtimeve të burimeve për këto sisteme.

Të gjitha vendet ballkanike kanë filluar të marrin masa parandalimi dhe mbajtjen nën kontroll të HIV/AIDS. Sidoqoftë, masat e hershme dhe të përshtatshme për të parandaluar HIV/AIDS dhe epideminë e infeksioneve të transmetueshme seksualisht ndryshojnë nga njëri vend tek tjetri.

Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë fonde të kufizuara, sisteme të pazhvilluara ose të rrënuara të shëndetit publik dhe pak OJQ që të mund t’i plotësojnë si duhet nevojat e grupeve të pambrojtura dhe grupeve shumë të cenueshme. Në shumicën e vendeve strukturat institucionale të shëndetit publik janë shumë të copëzuara dhe të shkëputura nga drejtimi politik dhe financimi. Kjo e bën bashkërendimin dhe koherencën shumë të vështirë brenda sektorit të shëndetësisë, për të mos folur me sektorët e tjerë.

Konkluzioni

Rinia është grupi i cili fillon të ballafaqohet me alkoolin, drogat dhe seksin. Duke u nisur nga supozimi se përhapja e AIDS-it më së shpeshti bëhet përmes përdorimit intravenoz të drogave si dhe seksit të pambrojtur, rinia duhet informuar dhe vetëdijësuar lidhur me atë se si mund të marrin vendime të bazuara në informata të sigurta për AIDS-in. Përdorimi i alkoolit dhe drogave pos dëmeve të tjera ngushton edhe vetëdijen dhe mundësinë e sjelljes së vendimeve të pjekura dhe të shëndosha, që mund të shpie shumë lehtë rreth atyre momenteve që mund të rezultojnë me infeksionin HIV si dhe më vonë me praninë e kompleksit të AIDS-it.

Duke u nisur nga fakti se të rinjtë janë grupi më i rrezikuar nga AIDS-i, përkatësisht nga infeksioni HIV, mosinformimi i tyre do të ishte një diskriminim ndaj integritetit të tyre dhe se për një gjë të tillë janë përgjegjës të gjitha strukturat shoqërore si ato profesionale mjekësore, ato edukative dhe po ashtu edhe të gjitha ato të cilat kanë mundësi për t’i dalë në ndihmë rinisë. Në këtë grup mund të numërojmë edhe vetë grupet brenda rinisë që duhet të iniciojnë aktivitete si ato edukative po ashtu edhe mobilizuese të shoqërisë në mënyrë që inkuadrimi të jetë gjithëpërfshirës.

Përvoja e deritanishme tregon se të rinjtë më së shpeshti janë të interesuar në lidhje me vendimmarrjen, mënyrën e përhapjes konkretisht të pengimit të infeksionit me HIV si dhe vetë kompleksin e AIDS-it.