Fjalë Kyçe

Serbët e kolonizojnë veriun e Kosovës

Serbët e kolonizojnë veriun e Kosovës

Lugina e Diellit, njëra nga lagjet më të përfolura në Zveçan, po ndërtohet pa lejen mjedisore të Ministrisë së Mjedisit dhe Ekonomisë.

Pamjet nga terreni tregojnë që rreth 300 shtëpitë e banimit dhe ndërtesa kolektive janë afër përfundimit, mirëpo në Ministrinë e Mjedisit thonë ato po bëhen pa leje mjedisore, ka raportuar KOHA.

Kjo ministri, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se për këto ndërtime deri më tani nuk kanë pranuar asnjë kërkese për leje mjedisore.

Çështja është edhe më e komplikuar, pasi Komuna nuk i ka dorëzuar fare Ministrisë dokumentacionet kur ato janë kërkuar. Kjo ka bërë që Inspektorati i Mjedisit ta dërgojë rastin në Gjykatë.

“Lidhur me pyetjet për leje mjedisore, ju njoftoj si në vijim: për ndërtimet në lagjen Luginën e Diellit, deri më tani, nuk kemi pranuar kërkesë për t’u pajisur me leje mjedisore. Përderisa Inspektorati i MMPH-së, për këtë çështje, ka inspektuar Drejtorinë për Urbanizëm, Komuna Zveçan, me ç’rast ka kërkuar dokumentacionin për ndërtimet në kompleksin “Lugina e Diellit”, të cilin dokumentacion kjo drejtori, pa ndonjë arsye, nuk e ka prezantuar me rastin e inspektimit. Inspektorati me procesverbal e ka urdhëruar drejtorinë që në afatin e caktuar ligjor të sjellë dokumentacionin për realizimin e këtij projekti. Meqenëse kjo drejtori nuk i është përgjigjur urdhëresës së Inspektoratit për ta sjellë dokumentacionin për ndërtim, Inspektorati ndaj kësaj drejtorie ka bërë inicim në Gjykatë. Pritet vendimi i Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Ekonomisë.

Por kthimi në pronat e tyre nuk ka ndodhur edhe për shqiptarët e Veriut.

Janë rreth 300 shtëpi të shqiptarëve në lagjen Kroi i Vitakut, të cilëve 21 vjet pas luftës nuk u është bërë e mundur të kthehen në pronat e tyre.

“Prej 2013 asnjë shtëpi nuk është rindërtuar kur në lagjen e serbëve kushdo qoftë lugina e diellit ndërtohet pa ndonjë problem. Kur bëhet fjalë për shqiptarët kërkohen leje për ndërtim që janë të djegura. Nuk shoh që ka interesim ndaj banorëve të veriut. Janë përzgjedhur 21 shtëpi por jemi të bindur se nuk do të fillojnë këtë vit. Por edhe nëse fillojnë është numër i vogël për t’u kthyer atje. 500 ose 600 mijë iu kanë nda, është një numër i vogël nuk mund të kthehen në veri. Së paku 100. 12 mijë e 500 banorë kanë qenë atje. Që 20 vite asnjë banor i veriut nuk është kthyer. Kjo është tmerr”, ka deklaruar Nazmi Ismjali, kryetar i Këshillit të Banorëve të Veriut.

Banorët shqiptarë thonë se maltretimi i tyre po vazhdon, meqë njëjtë ka ndodhur edhe para luftës.

“Që 21 vjet që kemi dal prej shtëpive. Qe 21 vjet janë duke na maltretuar, duke na premtuar që po ndërtojnë shtëpitë. Kemi qenë viktimë dhe para lufte edhe pas. Serbëve ua kanë ndërtuar 300 shtëpi. Ajo lagje është 150 metra prej shtëpisë sonë”, ka pohuar Ramadan Istrefi.

Në Institutin Kosova për Qeverisje Lokale thonë se kthimi në pronat e tyre është dashur të ndodhë për të dy komunitetet, derisa nuk është dashur të lejohen ndërtime pa leje në veri të vendit.

KTV ka kërkuar sqarime nga Qeveria e Kosovës lidhur me rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në veri të Mitrovicës dhe kthimin e tyre, si dhe ndërtimet pa leje që kanë ndodhur në lagjen Lugina e Diellit, por nuk ka marrë përgjigje.