Nëpër kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë po vazhdon të aplikohet marrëveshja e përkohshme e arritur për mbulimin e simboleve të targave. Qytetarë nga të dyja anët që hyjnë në territoret e shteteve respektive po vazhdojnë të vendosin tiketat ngjitëse, derisa Prishtina dhe Beogradi të arrijnë një marrëveshje e cila do të zgjidhte këtë problematikë në mënyrë përfundimtare.
Kosova e Serbia nuk arritën të dakordohen për një marrëveshje të përhershme për targat. Por qytetarët të cilët udhëtojnë përmes kufijve u bëjnë thirrje politikës që të arrijnë një marrëveshje përmes së cilës kjo çështje do të zgjidhej njëherë e përgjithmonë. Në pikën kufitare mes Serbisë dhe Kosovës në Merdar, qytetarë serb të cilët po hyjnë në Kosovë po vazhdojnë të vendosin tiketat ngjitëse duke mbuluar simbolet shtetërore në targa.
“Është dashur t’i vendosim, ashtu siç kërkohet mes dy vendeve.Na duhet sërish t’i vendosim, të paktën unë kështu e kam kuptuar. Nuk dihet kah po na dërgon kjo. Kosova dhe Serbia të ecin përpara”, thonë qytetarët serbë.
Analisti dhe gazetari serb Jaksa Scekic konsideron se mungesa e arritjes së kësaj marrëveshje po lë pasoja tek qytetarët. Madje sipas tij, ekziston opinion se në rast se Serbia do të pranonte targat e Kosovës i bie që po e njeh pavarësinë, gjë që siç u shpreh ai, nuk qëndron.
“Problemi në të dyja anët është se po mendohet që nëse arrihet marrëveshja rreth targave po konsiderohet se Serbia po e pranon pavarësinë e Kosovës. Kjo absolutisht nuk ka lidhje me këtë. E gjithë kjo nuk duhet të shikohet nga ky prizëm por duhet të merren vendime konkrete që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes së qytetarëve e mallrave. Në këtë formë fatkeqësisht njerëzit duhet të paguajnë dhe maltretohen dhe natyrisht që në fund përgjegjësia është e Beogradit dhe Prishtinës që nuk po arrijnë një marrëveshje”, thotë Scekic.
Në mungesë të një marrëveshjeje të përhershme për targat, Bashkimi Evropian ka njoftuar se mbetet në fuqi marrëveshja e vjetër që nënkupton vendosjen e letrave ngjitëse nëpër automjetet të cilat hyjnë nëpër territorin e Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë që është konfirmuar se diskutimet do të rifillojnë në ditët në vijim.