Fjalë Kyçe

Serbët reagojnë për pjesëmarrjen e Kosovës në Ballkanik, Kosova “përgjigjet” me medalje të arta

Serbët reagojnë për pjesëmarrjen e Kosovës në Ballkanik, Kosova “përgjigjet” me medalje të arta

Kosova ishte një prej dhjetë vendeve që mori pjesë në Kampionatin Ballkanik të boksit amator që të dielën përfundoi në Zagreb të Kroacisë. Për më tepër dy boksierë kosovarë fituan medalje të arta, vëllezërit Shpejtim e Bashkim Bajoku. Bashkimi në finale të kategorisë deri 52 kilogramë e mposhti serbin Rade Joksimoviq.

Paraqitja e Kosovës në një kampionat regjional nuk është pritur me sportivitet nga drejtuesit e Federatës së Boksit të Serbisë. Kryetari i Federatës së Boksit të Serbisë, Nenad Borovçanin ka thënë për RTK 2 se kjo federatë do të paraqet protestë te Unioni Evropian i Boksit dhe te organizatori i Ballkanikut për përballjen mes boksierit nga Kosova dhe atij nga Serbia.

“Është e vërtetë që nuk e kanë pritur mirë. Ndërsa ne e kemi pranuar meçin dhe jemi përgjigjur me medalje të artë”, ka thënë Latif Demolli, zyrtar i Federatës së Boksit të Kosovës.

“Edhe sekretari i federatës kroate më ka treguar se i ka ardhur një ankesë prej federatës serbe. Përgjigja e tij për ankesën ishte se Kosova është e pranuar në AIBA dhe EUBC me të drejta të plota si të gjitha vendet tjera”, ka shtuar Demolli.