Fjalë Kyçe

Serbia, me fjalë për BE-në e me vepër për Rusinë

Serbia, me fjalë për BE-në e me vepër për Rusinë

Shteti i Serbisë me fjalë deklarohet për hyrje në Bashkimin Evropian, por në vepër ajo është krejtësisht tjetër. Për këtë dëshmon aktiviteti i saj politik në Bruksel për të mos u pajtuar me shumë deklarata të BE-së për shumë zhvillime në botë.

Sipas një hulumtimi të fondit ISAC, Serbia deri më tash është pajtuar vetëm 52 për qind. Kështu thonë edhe raportet e BE-së që theksojnë se Serbia duhet ta ndryshojë qasjen e vet të tillë, përcjell sot gazeta e Beogradit “Blic”.

Sa për ilustrim, BE-ja vjet ka publikuar 56 deklarata të politikës së jashtme me të cilat nga shtete partnere është kërkuar pajtimi ose harmonizimi për to.

Serbia me këto deklarata është pajtuar vetëm 28 herë. Po të shikohet se cilat janë këto raste, vërehet se në fakt Serbia po i thellon marrëdhëniet me Rusinë, transmeton Koha.net.

Arsye e kësaj, siç konstaton gazete serbe, është përkrahja që Rusia ia bën Serbisë rreth Kosovës.

“Më së shumti nuk jemi pajtuar me deklaratat që kanë të bëjnë me Ukrainën, Gjeorgjinë, Kinën, të gjitha ato që në një mënyrë kanë lidhje me Rusinë. Ky nuk është kurrfarë sekreti, sepse kohë më parë shefi i diplomacisë serbe ka thënë se Serbia nuk të pajtohet me deklaratat që kanë të bëjnë me Rusinë, e esenca është Kosova”, ka thënë për “Blic” Igor Novakoviq nga fondi ISAC.

Ai ka theksuar se gjatë viteve të fundit Serbia nuk është pajtuar me asnjë deklaratë evropiane që temë kishte Rusinë.

Sipas tij, vjet Serbia nuk është pajtuar as me rezolutat që në dukje nuk kanë lidhje me Kinën e Rusinë, sado që tërthorazi kanë lidhje. Prapavija e përkrahjes së Serbisë këtyre vendeve është Kosova, edhe pse ajo, me pranimin e përmbajtjes së Kapitullit 35, është detyruar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Për shkak të Kosovës, përkatësisht Rusisë, Serbia s’i ka nënshkruar deklaratat për masa restriktive ndaj shumë shteteve.

“Serbia me përpikëri vazhdon praktikën e mospajtimit kur bëhet fjalë drejtpërdrejt ose tërthorazi për Rusinë nga të cilat në vitin 2018 ishin 16. Serbia i ka dy qëllime kryesore të politikës së jashtme: integrimet evropiane dhe ruajtjen e Kosovës. Për këtë ajo e mendon partner strategjik Rusinë”, ka thënë Novakoviq i cili ka shtuar: “prandaj dhe po na quajnë rusë të vegjël”.