Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se të enjten do të nisë vaksinimi kundër koronavirusit në këtë vend.
Sipas Vuçiqit, Serbia është vendi i vetëm jashtë BE-së në Ballkan që ka arritur të sigurojë vaksina të Pfizerit.
Ai ka paralajmëruar furnizim shtesë me këto vaksina në muajt e parë të vitit të ri.
“Ne i kemi siguruar vaksinat në mënyrë bilaterale, të pavarur. Në shkurt dhe mars do të vijnë edhe më shumë”, ka thënë Vuçiq, përcjell të mërkurën B92.net.
Vaksnimi do të nisë në shtëpitë e të moshuarve. Po ashtu, ka paralajmëruar që ndonjë nga zyrtarët e lartë do të vaksinohet si sinjal se vaksina është e sigurt.
Vendet e varfra dhe ato me zhvillim të mesëm e kanë të vështirë sigurimin e vaksinave në mënyrë të pavarur. Këto vende, kryesisht synojnë vaksinat përmes programit COVAX, ku ka aplikuar edhe Kosova së fundi.
Edhe Serbia pret të marrë vaksina përmes programit të COVAX-it.
“Për këtë program kemi paguar katër milionë euro”, shtoi Vuçiqi.
Serbia ka pranuar kontingjentin e parë të vaksinave të martën, 4.800 copë. Sipas agjencisë Tanjug, Serbia është i vetmi vend në rajon që ka siguruar vaksina nga Pfizeri.
Serbia, sipas njoftimeve, ka arritur marrëveshje me tri kompani që kanë zhvilluar vaksinën kundër koronavirusit. Pos me Pfizerin, ka marrëveshje edhe me kompaninë ruse Gamaleya për vaksinën “Sputnik V” dhe atë kineze Sinopharm për vaksinën “Sinovac”.