Fjalë Kyçe

“Serbia po keqpërdor çështjen e kufijve për tërheqje të njohjeve”

“Serbia po keqpërdor çështjen e kufijve për tërheqje të njohjeve”

Ndonëse në faqen zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), Kosova numëron 116 njohje, nga Serbia kanë ardhur lajme se trembëdhjetë vendet kanë tërhequr njohjen e pavarësisë.

Ditë më herët u paralajmërua edhe për një tërheqje të njohjes nga Republika e Palauit, edhe pse ky shtet figuron ende në listën e njohjeve.

Kryetarja e komisionit të Punëve të Jashtme, Vjosa Osmani i tha Ekonomia Online, se krejt kjo po vije si rezultat i punës jo të mirë të MPJ-së.

Ajo tutje ka shtuar se Serbia po e keqpërdor hapjen e temës së kufijve, duke i bindur disa shtete të tërheqin njohjet.

“Ne në përgjithësi si komision kemi vlerësuar se puna e MPJ-së nuk ka qenë e kënaqshme dhe mbi të gjitha që ka pas një çakordim total të institucioneve të Kosovës, pra mes MPJ-së, dikastereve qeveritare dhe presidencës në fushën e politikës së jashtme”. “

Ky çakordim ky jo unitet natyrisht se i ka edhe pasojat e veta, por problemi themelor është fakti që në kontekst ndërkombëtar, presidenti i vendit me ndihmën e disave në pushtet e ka hapur temën e kufijve”.

“Momentin që e ka hapur temën e kufijve hapet tema e shtetësisë së Kosovës, rrjedhimisht, Serbia këtë po e keqpërdor për të bindur disa shtete edhe të deklarojnë që e kanë ndryshuar mendjen sa i përket njohjes”, tha ajo.

Osmani ka thënë se MPJ duhet të punoj me shtetet mike për një strategji përmes së cilës do të parandalohen tërheqjet e njohjeve.

Ajo tutje ka shtuar se duhet të shikohet se ku kanë shkuar mjetet e lobimit për të ditur nëse janë shfrytëzuar për interesa shtetërore apo individuale.

“Duke parë financimin, investimin jashtëzakonisht të madh të Serbisë për të bindur disa shtete kryesisht të vogla që të pajtohen me përmbajtje të letrave në të cilat thuhet se po e ngrin ose po e pezullojnë çështjen e njohjeve. Ministrisë së Punëve të Jashtme i duhet të bëjë një strategji që përfshinë të gjitha institucionet jo vetëm MPJ-në në mënyrë që të punohet në të gjitha drejtimet, të punohet në të gjitha rajonet gjeografike dhe të parandalohen situatat e tilla”.

“Natyrisht Kosova këtë betejë nuk mund ta bëjë vetë sepse nuk ka mundur asnjëherë, prandaj, duhet t’i kemi në krah partneret tanë strategjik në veçanti Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Italinë, dhe shtetet tjera të BE-së të cilat na kanë ndihmuar t’i arrijmë njohjet e deri tanishme në mënyrë që të sigurohemi që bashkë me ta të bllokojmë ndryshimin e mendjes në ndonjë shtet”.“

Për këtë duhet të shikohet se ku kanë shkuar gjithë ato mjete të lobimit, gjithë ato miliona, në qoftëse nuk i ka shfrytëzuar ministri i jashtëm, atëherë kush i ka shfrytëzuar sepse ato kanë qenë për lobim për interesa të Kosovës dhe jo për interesa individuale”, tha ajo.

Naim Rashiti nga Grupi për Ballkan ka thënë se nuk do të ketë tërheqje të njohjeve substanciale mirëpo që politika e jashtme nuk duhet të rrijë duarkryq.

“Serbia nuk do të ndalet derisa një moment të caktuar për një marrëveshje të caktuar apo ndonjë kontekst të ri ndërkombëtarë”.

“Ajo që do të ndodhë me njohjet, nuk besoj që do të ketë tërheqje të njohjeve substanciale, ndonjë shtet tek -tuk, nuk është me rëndësi, shtetet kryesore e njohin, njohjet kryesore për kaq sa kemi do të mbeten si të tilla dhe Kosova nuk duhet të shqetësohet për këto aspekte”.

Sipas Rashitit politika e jashtme nuk ka prioritet buxhetor dhe si e tillë ka mbet peng i agjendave të ndryshme, raporton EO.

Megjithatë institucionet duhet ta analizojnë mirë dhe duhet të ndërmarrin veprime konkrete, të investohet në politikën e jashtme, jo vetëm për këtë, por për zgjerimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me gjitha shtetet jo vetëm ato që na kanë njohur por edhe shtetet që nuk na kanë njohur, me të cilat mund të ndërtohen marrëdhënie”.

“Në këtë aspekt, Qeveria ka vite që ka ngecë dhe duhet të ketë një lloj zgjimi për të mobilizuar për të financuar, për të prioritetizuar politikën e jashtme.

Politika e jashtme nuk ka prioritet as buxhetor as në politik nuk është prioritet për shkak të telasheve të ndryshme, agjendave të ndryshme”.

“Duhet të ridizajnohet e tërë politika e jashtme. Nuk është vetëm e Ministrisë së Jashtme, duhet të ketë qëndrim politik mundësisht unifikues se sa, se si duhet të sillemi me politikën e jashtme si shtet dhe pavarësisht se kush është në pushtet”, tha Rashiti.

Ndërkaq zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj në një konferencë para disa ditëve ka thënë se përfaqësuesja e lartë e BE-së Frederica Mogherini duhet të ushtroj presion mbi Beogradin në mënyrë që të ndaloj kampanjën kundër Serbisë për tërheqjen e njohjeve.

“Interesat tona si shtet dhe të Amerikës janë të njëjta edhe të BE-së dhe mes partnereve mund të ketë tensione, jemi në rrugë të mbarë që Serbisë me u tregu në mënyrë me ndal këtë agresion diplomatik dhe Mogherini e të tjerët do të ushtrojnë ndikimin mbi Beogradin me ndal këtë kampanjë për tërheqjen e njohjes”, ka thënë ai.