Fjalë Kyçe

“S’është i besueshëm për SHBA-në”, Kurti e komenton deklaratën e Grenellit

“S’është i besueshëm për SHBA-në”, Kurti e komenton deklaratën e Grenellit

Tri ditë pas deklaratës të emisarit për Misione të Posaçme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, kryeministri Albin Kurti ka reaguar.

“Çka me bo unë”, ishte përgjigja e kryeministrit Albin Kurti në drejtim të deklaratës së emisarit Richard Grenell.

“Çka me bo unë. Ti e din shumë mirë se tërë jetën time kam qenë aktivist e jo analist. I kemi këto studiot që i studiojnë se çka i tha kështu e pse e këqyri ashtu”, ka thënë fillimisht kryeministri Kurti në një intervistë për Istogu Chanel.

Kurti ka qenë i vendosur duke thënë se Kosova ka raporte shumë të mira me Amerikën.

“Punët kurrë ma mirë nuk i kena pas. Po blejmë helikopterë “Black Hawk” pas blerjes së sistemit ‘Javelin‘. Grantin më të madh nga Amerika e kemi marrë gjatë mandatit tonë. Ne kemi bërë avancimin me Amerikën kur raportin me Amerikë nuk e kemi vetëm diplomatik por e kemi edhe në mbrojtje, e në zhvillim e edhe energji”, ka thënë Kurti.

“Kanihere ka kritika e vërejtje, por duhet me ec përpara”, tha shkurtimisht Kurti.

Emisari për Misione të Posaçme i SHBA-së, Richard Grenell, i kishte quajtur mashtrim deklaratat e kryeministrit Albin Kurti se krahasuar me qeveritë paraprake, kjo aktualja e drejtuar prej tij, ka pasur marrëdhëniet më të mira me Washingtonin.

Madje ish-emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi ka shkruar në platformën “X” më 3 shkurt se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Albin Kurtit.