Para 10 vjetësh, Fehmi Musa, tani 34-vjeçar, kishte filluar të punonte si taksist privat në relacionin, Prishtinë-Fushë Kosovë dhe anasjelltas.
Me veturën e tij taksi, në korrik të vitit 2015, ai kishte shkuar afër Liqenit të Badocit, për t’i marrë dy persona dhe të nesërmen ishte arrestuar nga Policia e Kosovë, në banesën e tij në Fushë Kosovë, si i dyshuar për ofrimin e ndihmës disa personave, të cilët kishin tentuar të kryenin vepër terroriste.
Pikërisht për këtë vepër, ai ka vuajtur dënimin prej tre vjetësh burgim, në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës. Derisa gjatë këtij muaji, ai pritet të dalë sërish para gjykatës, pasi lënda është kthyer në rigjykim për herë të tretë.
Në aktakuzë, Prokuroria pretendonte se të akuzuaritnë korrik të vitit 2015, kishin shkuar në afërsi të liqenit të Badocit, lokacion afër Prishtinës, me qëllim të realizimit të një videoje propaganduese, e cila kishte qëllim nxitjen në kryerjen e veprave penale të terrorizimit.
Sipas aktakuzës, këta persona planifikonin të incizonin veten, duke lexuar betimin e grupit militant, Shteti Islamik dhe pas realizimit të video-incizimeve, ata planifikonin t’i shpërndanin ato në rrjete sociale, duke tentuar kështu që të dërgonin mesazh për ekzistimin e të ashtuquajturit Shtet Islamik edhe në Kosovë.
Musa tregon për Radion Evropa e Lirë, se si kishte ndodhur arrestimi në muajin korrik të vitit 2015.
“Natën e 11 korrikut të vitit 2015, unë jam arrestuar në banesën time në Fushë Kosovë, me pretendimin se unë gjoja u paskam ndihmuar terroristëve. Pa kurrfarë arsyeje, të vijnë të futen në banesë 200 policë, ky është një trishtim për opinionin, e lëre më për familjen”, shprehet Musa.
Ai thotë se e ka shumë të vështirë qët’i kthehet normalitetit dhe jetës së mëparshme – jetës para se të burgosej.
“Integrimi pak është i vështirë derisa ta kuptojnë njerëzit realitetin. Ata më kanë mbajtur mua tre vjet në burg. Ata më kanë dëmtuar, por nuk është kurrfarë problemi. Kur e quan një njeri terrorist pa bazë, pa elemente, është e vështirë për të. Se ti po ia sulmon ndjenjat atij. Po ia sulmon trurin. Atëherë ti po ushtron terror ndaj tij”, thotë Musa.
Ai është babai i katër i fëmijëve dhe insiston se është i pafajshëm dhe se nuk do të ndalet deri në vendosjen e drejtësisë.
“Derisa ta vë drejtësinë në vend, unë do të luftoj për të. Do të luftoj për të, ngase më takon mua që supozimet e tyre, t’ia dëshmoj popullit në Kosovë që unë Fehmi Musa nuk jam njëri prej atyre, të cilët më kanë akuzuar edhe më kanë mbajtur padrejtësisht”, thotë ai.
Riintegrimi i Fehmi Musës, por edhe i shumë qytetarëve të tjerë, që janë përballur me vepra që kanë të bëjnë me terrorizmin, nga njohës të islamit në Kosovë, po shihet si proces kompleks, por jo i pamundur.
Profesori në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, Xhabir Hamiti, thotë për Radion Evropa e Lirë se indoktrinimi në bazë të një interpretimi të devijuar fetar, kërkon qasje reale dhe objektive, ngase ideologjia, sipas tij, luftohet me ideologji më logjike, më argumentuese dhe më bindëse.
“Të gjithë ata që merren me de-radikalizimin e atyre, të cilët janë indoktrinuar gabimisht, mendoj që duhet të jenë njerëz të palës së dytë, as imamë e as zyrtarë të Bashkësisë Islame, por individë të trajnuar dhe të specializuar në rehabilitimin e personave me prirje të dhunshme, qoftë edhe në emër të ideologjisë fetare”, vlerëson Hamiti.
Ai konsideron se mungon një koordinim i spektrit më të gjerë të akterëve kryesorë në vend rreth çështjes së terrorizmit. Hamiti thotë se personat e dënuar për vepra që kanë të bëjnë me terrorizmin, më së shumti kanë nevojë për vende pune.
“Konsideroj se mbi të gjitha është shumë e rëndësishme që të krijohen vend pune për ata njerëz, të integrohen, jo të stigmatizohen dhe të mos merret askush me ta. Pra, duhet të ekzistojë një rrjet koordinues për këtë çështje, pasi nuk është çështje e thjeshtë”, thotë Hamiti.
Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2012 deri në vitin 2016, mbi 400 qytetarë të Kosovës, kishin shkuar në zonat e luftës në Siri dhe Irak. Më shumë se 130 persona janë dënuar në Kosovë për pjesëmarrje në luftërat në Siri dhe Irak. Ndërkaq, në këto zona janë vrarë më shumë se 70 kosovarë dhe rreth 200 ende mbesin atje.
Në kuadër të masave për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm fetar që shpie në terrorizëm, Kosova hartoi në vitin 2015 një ligj që sanksionin pjesëmarrjen në luftërat e huaja me dënime deri në 15 vjet burgim.
Qeveria e Kosovës, po ashtu, pati miratuar Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm, ndërsa më pas, kishte vendosur që t’i angazhonte edhe disa imamë në procesin e deradikalizimit të të dënuarave për veprën penale të terrorizmit nëpër burgje.