Një djalit të ri nga Rusia një shaka e “pa kripë” i kushtoi me dy vite burgim, kur vendosi që të tallet me masën në metro dhe të shtiret kinse po pëson sulme si rezultat i simptomave të forta të coronavirusit – duke i detyruar pasagjerët e tjerë të ikin nga frika se edhe ata mund të infektohen.
Karomatullo Dzhaborov, 26-vjeç, u filmua duke u rrëzuar në dysheme dhe duke filluar të dridhet kinse po pëson një sulm si pasojë e coronavirusit, transmeton Telegrafi.
Gjithçka ndodhi në një tren të metrosë së Moskës gjatë shkurtit të vitit të kaluar, ku pasagjerët tjerë fillimisht vrapuan për ta ndihmuar – por kur dëgjojnë dikë duke thënë se ka coronavirusin, filluan të ikin.
Megjithatë aty u shfaq një patrullë e policisë që fillimisht e dërgoi në spital për t’u siguruar që ai nuk është sëmurë, dhe më pas është dërguar në paraburgim.
E gjykata e Moskës ka marrë vendim – duke ia shqiptuar dënimin prej dy viteve e katër muaj burgim. Hiq më lehtë nuk kanë shpëtuar edhe dy persona tjerë që e shoqëruan dhe që ishin pjesë e kësaj shakaje.
Stanislav Melikhov dhe Artur Isachenko u dënuan me dy vite me kusht – por ajo çfarë u kushtoi më shumë është humbja e vendit të punës.