Opinionisti Blerim Shala e ka komentuar rastin e Afganistanit, duke thënë se në Kosovë u bë një analizë krahasimtare.
Ai këtë analizë e quajti dështim historik dhe politik të Amerikës, Perëndimit, dhe atij të Kosovës.
“Me aq dije që kemi për zhvillimet ndërkombëtare ditëve të shkuara ia mësymë që të bëjmë analizë krahasimtare në mes të rastit të Afganistanit, ku ashiqare u shënua një dështim historik dhe politik i Amerikës dhe Perëndimit, dhe atij të Kosovës, i cili njihet, anasjelltas, si shembull i suksesit politik dhe historik të Amerikës dhe Perëndimit”, u shpreh ai.
Sipas tij në Kosovë gjatë kësaj jave nuk pati hezitime që të imgjinohen pamje dhe tabllo të largimit të mundshëm të forcave amerikane nga Kosova.
“Madje, pati edhe propozime të ndryshme se si do të duhej ne, qysh tash, të nisnim përgatitjet eventuale për tu përballur me një sprovë të ngjashme me atë që ndodhi, në përmasa të një tragjedie katastrofale, në Afganistan”, shtoi Shala.
Shala tutje tha se Ballkani Perëndimor ka qenë dhe mbetet interes strategjik i SHBA-së, Aleancës Veri-Atlantike dhe i BE-së, përcjell Klankosova.tv.
“Në fillimet e luftërave të shkaktuara me shkatërrimin e përgjakshëm të ish-RSFJ-së, atje në vitet 1991-1994, mendohej dhe vlerësohej, gabimisht, në BE, që kriza më e madhe që shpërtheu në Evropë, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe ngadhnjimit ndaj Komunizmit (i cili u sigurua realisht prej SHBA-së dhe Paktit NATO, dhe jo prej BE-së), do të mund të zgjidhej prej BE-së vet, me përkrahjen e OKB-së, pa ndonjë rol të veçantë të Amerikës dhe NATO-s. Vet Administrata e Presidentit Bush, në largim e sipër, dhe ajo e Presidentit Bill Clinton, në fillimet e veta, nuk patën treguar fare interesim që të merren me këtë tragjedi që prishi ‘Muajin e mjaltit’ të Evropës së bashkuar”
“Megjithatë, në vitet 1994, 1995, nisi angazhimi i mirëfilltë politik, diplomatik dhe ushtarak i Amerikës dhe i NATO-s, për ta ndalur luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë. U kuptua atëherë që Partneriteti trans-atlantik është kusht pa të cilin nuk bën nëse dëshirohet të imponohet dhe të mbahet paqja në këto anë të Evropës. Ky Partneritet, siç e dimë të gjithë ne, ishte jetik për t’i hapur udhë zgjidhjes ushtarake dhe politike të çështjes së Kosovës, në vitet 1998-2008. Ky Partneritet zatën bëri që Administrata e Presidentit George W. Bush, t’i mbajë forcat amerikane në kuadër të Misionit të KFOR-it në Kosovë, megjithë premtimeve gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, për tërheqjen e tyre nga Kosova”, tha Shala.