Pak më shumë se gjysma e njerëzve në Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19, bazuar në të dhënat nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) të përditësuara të shtunën.
Sipas të dhënave të CDC, 50.1 për qind e popullsisë amerikane është vaksinuar plotësisht kundër sëmundjes. Pak më shumë se 58.5 për qind është pjesërisht e vaksinuar kundër sëmundjes, që do të thotë se njerëzit e kanë filluar serinë e vaksinave me dy doza, por nuk e kanë përfunduar atë.
Momenti historik vjen tetë muaj pasi vaksinës së parë – të prodhuar nga Pfizer dhe BioNTech – iu dha një autorizim për përdorim emergjent nga Administrata e Ushqimit dhe e Barnave (FDA) në SHBA më 11 dhjetor të vitit të kaluar, raportojnë mediet e huaja, transmeton Telegrafi.
Vaksinës Moderna iu dha i njëjti autorizim më vonë në muajin dhjetor, derisa vaksina Johnson & Johnson me një dozë u autorizua në muajin shkurt.
Asnjëra nga vaksinat nuk ka marrë miratimin zyrtar nga FDA, megjithëse zyrtarët thuhet se po synojnë ta miratojnë vaksinën e Pfizer deri në fillim të muajit shtator.