Ushtria amerikane ka paguar 2.5 miliardë dollarë për një kompani të hapësirës që është shprehur e gatshme të krijojë disa raketa hipersonike dhe të fuqizojë edhe më shumë armatimin e SHBA-së.
Presidenti Donald Trump, ka konfirmuar se SHBA-ja është në fazën krijuese të disa raketave dhe sipas kompanisë “Lockheed Martin”, së paku një e tillë do të jetë gati deri në fund të vitit 2022, raporton Reuters.
Këto raketa u përmendën nga presidenti në adresimin kombëtar në lidhje me tensionet me Iranin.
Deri tash nuk ishte sekrete që SHBA-ja është duke prodhuar armët hipersonike, por fjalimi i presidentit konfirmoi se disa prej këtyre raketave tashmë janë duke u prodhuar.
“Raketat tona janë të mëdha, të fuqishme, të sakta, të shpejta dhe vdekjeprurëse. Jemi duke i ndërtuar disa hipersonike. Fakti që e kemi këtë ushtri dhe kapacitet, nuk do të thotë se duhet ta përdorim. Fuqia amerikane, si ajo ushtarake, si ekonomike, janë më të mirat”, ka thënë Trump, transmeton KTV.
Kombinimi i shpejtësisë dhe mundësia e manovrimit, i bën raketat hipersonike vështirë të ndiqen dhe shkatërrohen.
Shpejtësia e tyre është pesë herë më e madhe se shpejtësia e zërit, ose mbi 5 mijë kilometra në orë.
Disa prej këtyre raketave kanë shpejtësi mbi 20 mijë kilometra në orë.
Në një llogaritje më të thjeshtë, këto raketa, kanë shpejtësi 25 herë më të madhe sesa aeroplanët modern të udhëtimeve.
Raketat hipersonike mund të manovrohen në rrugëtimin e tyre drejt cakut.
Deri më tani vetëm SHBA-ja, Kina dhe Rusia, kanë qenë të përqendruara në zhvillimin e armëve hipersonike.