Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë se i vjen keq që Lista Serbe nuk e përkrah votimin për shkarkimin e katër kryetarëve të komunave veriore të Kosovës.
Në një përgjigje për KOHËN, ambasada ka deklaruar se pjesëmarrja demokratike në votim bën që udhëheqësit të jenë përfaqësues të popullit të cilit i shërbejnë.
“Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se ata do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore. Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër”, thuhet në përgjigje.
Tutje thuhet se qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar, duke theksuar se e mbështesin demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime.
“Siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë aftësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të shkarkuar kryetarët në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë”, ka thënë tutje ambasada.
Ambasada e SHBA-së ka deklaruar se i vlerësojnë përpjekjet e bëra nga KQZ-ja për t’i lejuar të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në këtë proces demokratik.
“Mundësi pjesëmarrjeje kanë të gjithë qytetarët e regjistruar në veri të Kosovës”, theksohet në përgjigje.