Në 23-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve strategjike të Serbisë, Misioni i SHBA-së në OSBE, ka bërë një deklaratë nëpërmjet këshilltares politike, Elisabeth Rosenstock-Siller, në Këshillin e Përhershëm të Organizatës në Vjenë.
Në një shkrim në faqen zyrtare në Facebook, thuhet se përdorimi i forcës nga NATO në këtë rast ishte i domosdoshëm dhe legjitim.
“Më lejoni t’i kujtoj këtij Këshilli se Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte shprehur shqetësimet e tij për kërcënimin që gjendja e rëndë humanitare në Kosovë dhe numri në rritje i refugjatëve paraqet për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.
Ambasada tutje ka kujtuar edhe një deklaratë të tani presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, i cili në Beograd kishte shprehur ngushëllme për familjet që humbën jetën në luftërat e viteve të 90-ta, përfshirë ata nga fushata ajrore e NATO-s.
“Na vjen keq shumë për humbjen e jetëve të civilëve të pafajshëm, përfshirë ata që humbën jetën gjatë këtij operacioni ushtarak. Kujtojmë dhe vajtojmë me të gjitha ato familje që humbën të dashurit në konfliktet e viteve 1990. Kur vizitoi Beogradin në vitin 2016, Presidenti Biden shtoi ngushëllimet e tij personale për familjet e atyre që humbën jetën gjatë luftërave të viteve ’90, përfshirë si rezultat i fushatës ajrore të NATO-s. Dhe sot shtoj ngushëllimet e mia të përzemërta”, thuhet tutje.
Po ashtu theksohet se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht një të ardhme demokratike, të begatë dhe paqësore për Ballkanin Perëndimor.
SHBA inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të dyfishojnë përpjekjet përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit, e cila duhet të përqendrohet në njohjen reciproke.
“Marrëveshja do të kërkojë fleksibilitet, kompromis dhe guxim politik nga të dyja palët”.
Sipas ambasadës, Status- Quoja mes Kosovës dhe Serbisë pengon të dyja vendet.
Deklarata e plotë pa ndërhyrje:
Njëzet e tre vite më parë, NATO filloi Operacionin Forca e Bashkuar për t’i dhënë fund një dekade të gjakderdhjes në Ballkan. Ky intervenim erdhi pas shterjes të të gjitha rrugëve diplomatike, për ta ndalur një fushatë brutale të spastrimit etnik, të nxitur nga regjimi i Millosheviqit.
Përdorimi i forcës nga NATO në këtë rast, ka qenë edhe i nevojshëm edhe legjitim. Më lejoni t’ia kujtoj këtij Këshilli, se Këshilli i Sigurimit të OKB-së kishte shprehur shqetësim lidhur me kërcënimin se kriza e rëndë humanitare në Kosovë dhe numri i madh i refugjatëve, përbënin kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Sot, ne kujtojmë qindra mijëra qytetarë të pafajshëm, të dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe mijëra të tjerë të vrarë apo të zhdukur, si pasojë e nacionalizmit të dhunshëm të regjimit të Millosheviqit dhe forcave të tij.
Është detyrë e dy qeverive, asaj të Serbisë dhe të Kosovës, që të sigurojnë drejtësi të plotë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre si dhe informacione lidhur me fatin e më të dashurve të tyre.
Ndjejmë keqardhje të thellë për humbjen e jetëve civile, përfshirë edhe të atyre që u zhdukën përgjatë këtij operacioni ushtarak. I kujtojmë dhe bashkëndjejmë me familjet që kanë humbur të dashurit e tyre gjatë konfliktit në vitet e ’90-a. Kur vizituam Beogradin në vitin 2016, Presidenti Biden kishte shprehur ngushëllimet e tij personale te familjet të cilat kishin humbur jetët në vitet ’90, përfshirë edhe ato që erdhën si pasojë e fushatës ajrore të NATO-s. Dhe unë, sot, shpreh edhe ngushëllimet e mia të sinqerta.
Shtetet e Bashkuara mbështesin një të ardhme demokratike, prosperuse dhe paqësore për Ballkanin perëndimor. Inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë për t’i dyfishuar përpjekjet në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që duhet të jetë e qendërzuar në njohje reciproke, nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Arritja e marrëveshjes kërkon fleksibilitet, kompromis dhe guxim politik nga të dyja palët. Është e qartë se ‘status quo’-ja, pengon si Kosovën, ashtu dhe Serbinë për t’i zhvilluar potencialet e tyre të plota.
Le të nderojmë kujtimin për ata që i humbëm, duke punuar së bashkua për ndërtimin e një të ardhme paqësore dhe prosperuese për secilin në Ballkanin perëndimor.