Programe të pashtjelluara mirë dhe të mbushura me premtime që nuk ofrojnë zgjidhje afatgjatë për problemet kryesore kanë shpërndarë partitë politike në 10 ditët e fushatës parazgjedhore. Pjesë e diskursit ishte edhe karta e bashkimit me Shqipërinë, të cilën e promovoi kandidati i Aleancës për president, Ramush Haradinaj. Ai u çoi mesazh edhe aleatëve që nëse nuk e pranojnë Kosovën në NATO, do të shikohen alternativa të tjera.
Por një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, në ditën e fundit të fushatës, e ka bërë të qartë nëpërmjet “Kohës” se mbështesin vetëm Kosovën sovrane dhe multietnike.
“Ne mbështesim një Kosovë sovrane, të pavarur, multietnike. Diversiteti është një vlerë themelore që ne e ndajmë me Kosovën dhe kjo është e theksuar në Kushtetutën e saj. Mesazhi ynë mbi integrimin aktual dhe të ardhshëm të Kosovës në institucionet perëndimore ka qenë i qëndrueshëm dhe i qartë: Shtetet e Bashkuara do të mbesin pranë Kosovës ndërsa ajo vazhdon të ecë përpara në rrugën e saj euroatlantike”, kanë thënë nga kjo ambasadë.
Në fushatë u zhvillua edhe një betejë mes PDK-së e Nismës se kush i mbron vlerat e UÇK-së.
Subjektet e tjera hezituan të flasin për temat që i presin kur të vijnë në qeveri – siç janë politika e jashtme dhe dialogu me Serbinë. Në programin prej 52 faqesh, Lëvizja Vetëvendosje kurrkund nuk i përmend bisedimet me shtetin serb.
E Lidhja Demokratike vazhdoi ta proklamojë veten si forca e cila riktheu partneritetin me SHBA-në.
Vëzhgues të fushatës parazgjedhore thonë se premtimet e partive janë të parealizueshme edhe nëse arrijnë ta çojnë në fund një mandat të plotë.
“Nga ajo që kemi monitoruar, gjasat e mëdha janë që asnjëra prej partive politike të mos ketë mundësi ta zbatojë gjithë programin e tyre, marrë parasysh se ka nevoja shumë të mëdha. Programet nuk janë në proporcion me atë që kërkohet. Premtimet e kandidatëve për kryeministër dhe programet në përgjithësi i tejkalojnë edhe limitet buxhetore në të shumtën e rasteve”, ka deklaruar Allen Meta nga D4D.
“Programe ka pasur secili subjekt, por shumë vonë kanë filluar t’i bëjnë publike, në kuptimin e asaj që nëse ke dashtë me iu qas një programi nuk ke pasur mundësi. Pas ditës së pestë apo të gjashtë kanë filluar me u shfaq publikisht programet e disa subjekteve. Çka kemi pa është se kanë qenë tema të zakonshme, si: arsimi, shëndetësia, mungesa e punësimit për të rinjtë. Në disa raste kanë qenë edhe integrimi evropian dhe liberalizimi i vizave”, është shprehur Florent Spahija i KDI-së.
Edhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) programet i ka quajtur të mangëta, të pashtjelluara mirë dhe jokonkrete.
Megjithëse është përmendur mosrespektimi i masave anti-Covid, Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar që pandemia të mos jetë justifikim për abstenim nga votimi.
“Ndërsa është e rëndësishme që të gjithë qytetarët të kenë mundësi t’i ndajnë mendimet e tyre dhe të marrin pjesë në procesin demokratik, ne kërkojmë që këtë ta bëjnë në mënyrë të sigurt. Gjatë fushatës shumë pak njerëz janë duke respektuar masat themelore shëndetësore – për të qëndruar në shtëpi dhe shmangur tubimet e mëdha, duke mbajtur maskën dhe respektuar distancën. Ju lutem mos lejoni që kjo pandemi të jetë justifikim që të mos luani rolin tuaj në vazhdimin e ndërtimit të demokracisë dhe institucioneve të Kosovës. Ju lutemi dilni dhe votoni, por bëjeni atë në mënyrë të sigurt. E ardhmja e Kosovës është në duart tuaja. Ndërsa Ambasada dhe partnerët tanë ndërkombëtarë mbesin thellësisht të angazhuar, në fund të fundit, varet nga institucionet e Kosovës dhe nga populli i Kosovës për t’u siguruar që zgjedhjet të jenë të lira, të drejta dhe paqësore”, ka thënë zëdhënësi i ambasadës amerikane.
Këtë të diel mbahen zgjedhjet e parakohshme – të tetat me radhë që nga paslufta.