Fjalë Kyçe

Shërbimet e inteligjencës në Amerikë: Koronavirusi nuk ka dalë nga laboratori

Shërbimet e inteligjencës në Amerikë: Koronavirusi nuk ka dalë nga laboratori

Zyrtarët e Agjencive amerikane të Inteligjencës janë pajtuar se “virusi Covid-19 nuk është krijuar në laborator”, ka bërë të ditur kreu i inteligjencës në Amerikë, Richard Grenell.

Megjithatë, agjencitë e inteligjencës do të vazhdojnë të hulumtojnë se si ka ardhur virusi te kafshët dhe më pas te njerëzit apo nëse është lëshuar aksidentalisht nga një laborator në Wuhan të Kinës, aty ku virusi u shfaq për herë të parë.

“Do të vazhdojmë të hulumtojmë informatat e marra për t’u përcaktuar nëse shpërthimi nisi nga kontakti me kafshët e infektuara apo ishte rezultat i një aksidenti në laborator në Wuhan”, ka thënë Richard Grenell, që udhëheq zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, në një komunikatë për media, raportojnë mediat në SHBA.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe aleatët e tij kanë kërkuar hetim për origjinën e virusit. Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ka sugjeruar se virusi mund të ketë dalë nga një laborator në Wuhan, teori që është kundërshtuar nga shkencëtarët. Të mërkurën, Trump u tha gazetarëve se ai kishte parë disa prej gjetjeve në hetimin e bërë nga komuniteti i inteligjencës..