Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka takuar sot përfaqësuesit sindikal nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Me të njëjtit kanë diskutuar për trajtimin më dinjitoz të punëtorëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, duke adresuar kërkesat e tyre në raport me pagesat shtesë të premtuara nga Qeveria e RKS-së, ndryshimin dhe përplotësimin e ligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe statusin e tyre, ligjin për pagat, pensionet bazë, pastaj sigurimin shëndetësor, për pajisje me uniforma të reja dhe gjithashtu për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të përgjithshme të stafit etj.
Sipas njoftimit për media, ministrja Haxhiu ka shprehur vullnetin dhe mbështetjen e pakursyer për të proceduar më tutje kërkesat e sindikatës së punëtorëve, në mënyrë që të gjithë ata, pa dallim, të kenë kushte më të përshtatshme pune, të trajtohen më me dinjitet dhe ta kenë respektin e merituar dhe mbështetjen institucionale.
“Ajo njoftoi përfaqësuesit e sindikatës që Qeveria e Republikës së Kosovës po angazhohet gjithandej sektorëve drejt një progresi të dukshëm sa i përket edhe përplotësimit të kushteve të punës por edhe shërbimeve të merituara të punëtorëve çoftë në nivel të sigurimeve shëndetësore, pensioneve, përmirësim të pagave, kushteve të punës etj, ndonëse pandemia COVID-19 ka vështirësuar në ritmin e realizimit të këtyre qëllimeve, gjithsesi do të punohet pandalshëm në atë drejtim”, thuhet në njoftim.