Fjalë Kyçe

Sherifi i Nismës tregon për bashkëpunimin mes pushtetit dhe PSD-së së Shpend Ahmetit

Sherifi i Nismës tregon për bashkëpunimin mes pushtetit dhe PSD-së së Shpend Ahmetit

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, duke folur për deputetët e Partisë Socialdemokrate ka thënë se mbështetja e tyre e ka pamundësuar bllokimin e punës së Kuvendit.

“Në kuadër të një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Partinë Socialdemokrate për dialogun, ata i kanë dhënë mbështetje punës së Kuvendit për të mos e bllokuar punën”.

“Në bisedimet që kemi pasë me ta, krejt kjo është bërë në funksion të ecjes përpara në rrafshin e dialogut. Është bërë një paketë – ata e kanë mbështetur punën e Kuvendit dhe në të njëjtën kohë së bashku me Nismën kanë pranuar që ta bashkëkryesojnë dialogun me Serbinë”.

Por, a është ky një koalicion i heshtur mes Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt dhe PSD-së së Shpend Ahmetit?

“Nuk mund ta quajmë koalicion, sepse koalicionet nuk mund të jenë të heshtura. Është koalicion joformal- PSD-ja e ka mbështetur Kuvendin në punën e tij, por jo edhe Qeverinë”.

“E kanë mbështetur punën dhe efikasitetin e Kuvendit në funksion të interesit të Kosovës që çështja e dialogut të ecë përparë. Mendoj që deputetët e PSD-së kanë pasë merita të jashtëzakonshme në këtë fazë”.

Sherifi në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se deputetët e PSD-së nuk janë faktori kryesor në rrëzimin e Qeverisë, siç janë në funksionimin e Kuvendit.

“Ata nuk janë vendimtarë në rrëzimin e Qeverisë, por janë vendimtarë në punën e Kuvendit. Nëse ata nuk vazhdojnë të marrin pjesë në seanca ose votim natyrisht që krijohet bllokadë totale në Kuvendin e Kosovës”.

“Por, a ka fuqi PSD-ja për ta rrëzuar Qeverinë? Numrat thonë ‘jo’”.

Ai ka komentuar edhe një mocion të mundshëm mosbesimi për qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj që është përmendur tash e sa kohë nga dy partitë më të mëdha opozitare.

“Ka dy qasje në demokracitë perëndimore sa i përket mocioneve të mosbesimit. Njëra qasje është të dorëzohet mocioni i mosbesimit vetëm në momentin kur janë numrat, pra 61 deputetë nënshkrues. Në anën tjetër, duke pasë parasysh faktin që Kushtetuta lejon që me 40 deputetë nënshkrues të ngritet një mocion mosbesimi pa marrë parasysh a janë 61 që e mbështesin ose jo”.

“Ka raste kur iniciohen mocionet në Kuvend dhe më pas kryeministri fiton ose e humbet betejën. Këta kanë zgjedhë që pa i bërë 61 të mos vijnë me mocion mosbesimi”.

“Ne kur e kemi paraqitur mosbesimin e kemi parë që PDK dhe LDK nuk mund të vazhdojnë më gjatë. PDK-ja kishte filluar fushatën me ‘Turin e Dëgjimit’ dhe u nënkuptua që ky tur nuk mund të fillonte një vit para kohe, por kishte filluar që të shkonim në zgjedhje”.

“Ideja ishte ose t’ia digjnim mandatin Isa Mustafës, ose turin Kadri Veselit. Mocioni ynë gjithsesi e kishte një fitore. Nëse deputetët e PDK-së nuk do ta votonin mocionin atëherë digjej Turi, nëse do ta votonin digjej mandati i Isa Mustafës, gjë që edhe ndodhi”.

Por, a janë zgjedhjet zgjidhje për situatën aktuale në Kosovë?

“Ka ardhur koha që liderët e këtij koalicioni urgjentisht të ulen dhe të bisedojnë seriozisht duke qenë të pandikuar nga populizmat ose kritikat, qoftë me vend ose pa vend, dhe t’i japin një përgjigje kësaj pyetje”.

“Kemi një situatë ku liderët duhet të ulen dhe të bisedojnë seriozisht se si do të ecim përpara. Ky koalicion përpos punëve të përditshme qeverisëse ka pasë për mision t’i shtyje përpara disa procese politike”.

“Nëse nuk arrijnë t’i shtyjnë këto procese përpara, ajo që më së paku duhet ta bëjnë është të ulen dhe të shohin se cila është rruga më e mirë përpara”.