Rrugët e kryeqytetit janë vërshuar në pasditen e së dielës, si pasojë e reshjeve të shumta të shiut.
Sot, drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica bashkë me kryetarin Përparim Rama kanë dalë në terren për të parë gjendjen pas vërshimeve.
“Jemi në terren me kryetarin, jemi duke e vlerësuar gjendjen e vërshimeve të natës së mbrëmshme”, tha ai për Express.
Ky shi erdhi pas një jave me temperatura të larta dhe ende nuk dihet për dëmet që i ka shkaktuar.
Pas këtyre reshjeve 15 udhëtarë janë evakuuar pasi autobusi me të cilin udhëtonin e ka pasur të pamundur të qarkullonte. Ky mjet transportues kishte mbetur në nënkalimin tek Stacioni i Autobusëve në Prishtinës.
Mbrëmë shiu ka depërtuar edhe në bodrumin e Klinikës së Pulmologjisë. ShSKUK ka dalë me njoftim për të konfirmuar se ekipet teknike kanë qenë në gjendje gatishmërie dhe në këtë hapësirë nuk ka pasur aparatura mjekësore.
Prishtina Weather dje konstatoi se 57mm të reshura janë regjistruan në Prishtinë deri në orën 22:00. Në njoftim thuhet se të reshurat e gjithë qershorit ndodhën mbrëmë për tri orë.
Shirëra të fuqishëm ka pasur edhe në Prizren, ku ka rënë edhe breshër. Meteo Ballkan ka publikuar disa fotografi ku shihet sasia e madhe e breshërit që dukej sikur të ishte borë.