Fjalë Kyçe

Shiu shkakton turbullira në Badovc dhe Batllavë

Shiu shkakton turbullira në Badovc dhe Batllavë

Reshjet e shiut që kanë rënë ditëve të fundit në vend, kanë shkaktuar turbullira në liqenet akumuluese të Badovcit dhe atë të Batllavës, prej nga bëhet furnizimi me ujë të pijshëm. Drejtues të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” kanë bërë të ditur se reshjet e fundit të shiut kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e nivelit të ujit në liqene, i cili ka arritur mbi tri metra.

Banorët të cilët furnizohen nga liqenet akumulues të Badovcit dhe Batllavës, pas reshjeve të fundit të shiut, janë përballur me mungesë të ujit për shkak të turbullimit të tij. Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, në një përgjigjeje për Radio Kosovën, theksoi se reshjet e shiut të ditëve të fundit, kanë shkaktuar turbullira në ujin e pijes.

“Gjendja e furnizimit me ujë të pijshëm ka filluar të stabilizohet që kishim disa probleme në Liqenin e Batovcit që ishte krijuar turbullire. Dhe nga pamundësia për të përpunuar ujin e pijshëm nga niveli i lartë i turbullirës që ishte krijuar, ne e kishim zvogëluar prodhimin e ujit në minimum në mënyrë që ta ruajmë kualitetin e ujit të pijshëm për shërbimin e qytetarëve.”

Po ashtu, Mjeku tha se këto reshje të shiut kanë ndikuar që të rritet niveli i ujit në Liqenin e Badovcit dhe Batllavës, i cili ka arritur mbi tri metra, gjë që kjo ngritje do të sigurojë ujin e pijes për këtë vit për banorët që furnizohen nga këto dy liqene, shtoi Mjeku.

“Kemi ngritje të nivelit të ujit mbi tri metra, mirëpo është e domosdoshme edhe shpenzimi racional. Por çfarë mund të themi është që ne pas këtyre reshjeve e kemi siguruar furnizimin me ujë të pijes për ketë vit me këto kapacitet aktuale që i kemi. Qytetarët duhet t’i kushtojnë rëndësi të veçantë që mos të keqpërdorimin e ujin e pijes për arsye se kjo është pasuri e jona për vitet në vijim.”

Mjeku, po ashtu bëri të ditur se muaji dhjetor i vitit 2020 ka qenë muaj tejet i suksesshëm për sa i përket shkallës se arkëtimit. Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” furnizon me ujë të pijes 8 (tetë) komuna.