Brenda disa muajve futbolli kosovar i humbi dy nga donatorët më të mëdhenj, duke mbetur vetëm edhe pak njerëz të pasur në futboll. Pas Naser Ramajt të Feronikelit, edhe Gjilani e Superliga e humbën investitorin e madh, Florim Zukën. Pse po largohen këta njerëz të pasur nga futbolli dhe a rrezikon futbolli kosovar të varfërohet edhe më shumë? Donatorë e analistë, për Gazetën Express, përmendin varg arsyesh që po i “trembin” edhe këta pak donatorë nga futbolli i Kosovës.
Derisa futbolli kosovar gjithnjë ka nevojë për donatorë që t’i ndihmojnë financiarisht, në sportin më të popullarizuar në Kosovë po ndodh e kundërta.
Edhe ata pak donatorë po ikin, duke e lënë shumë keq futbollin. Para gjashtë muajsh u largua njëri prej donatorëve më të mëdhenj që e kishte futbolli i Kosovës. Bëhet fjalë për Naser Ramajn, me investimet e të cilit Feronikeli kishte arritur të bëhet super-fuqi në futbollin kosovar pasi brenda pak vitesh kishte fituar aq shumë trofe sa që ishte bërë klubi i dytë më i trofeshëm në Kosovë dhe ishte bërë një model, shkruan Gazeta Express.
Por, pas largimit të Ramajt filloi rënia e madhe e klubit nga Drenasi i cili madje ra edhe në kategorinë e dytë.
Ndërsa, së fundmi futbolli i Kosovës e humbi një tjetër donator të madh. Bëhet fjalë për Florim Zukën, me investimet e të cilit Gjilani viteve të fundit ishte ndër klubet më të organizuara dhe më të forta në Superligën e Kosovës.
Duhet theksuar se Ramaj dhe Zuka janë të fundit që e braktisën futbollin e Kosovës, por jo edhe të parët, pasi edhe para tyre shumë donatorë ishin larguar pasi kishin lënë gjithçka të veten në futboll.
Por, cilët janë faktorët që ndikojnë keq te donatorët e paktë të futbollit kosovar? Gazeta Express ka biseduar me njërin prej donatorëve më të vjetër, i cili qe rreth 25 vjet përkujdeset për një klub futbolli.
Abedin Zeka, kryetari i Trepçës ’89, thotë se të jesh donator në futbollin kosovar është tejet e vështirë pasi investitorëve lëre që u mungon nga respekti deri te përkrahja, por edhe u bëhen padrejtësi të mëdha sa që edhe familjet e tyre i qojnë në kapitullim total.
Investitori i vjetër mitrovicas thotë se biznesmenët e mençur vendosin të largohen sa nuk u është bërë vonë.
“Biznesmeni i mençur ik sa ma shpejt. Infrastrukturë s’kemi, s’kemi as organizim të mirëfilltë, kush ka qejf bëhet kampion, nuk është tek kualiteti, s’mund të arrish sukses me kualitet. Por, ka premtime, ti me mua e unë me ty, dhe ky është zhgënjimi i biznesmenëve. Është për keqardhje që është larguar Florim Zuka. Më burrë se Florim Zukën s’kam takuar deri tash prej krejt kryetarëve apo pronarëve të klubeve. Për keqardhje është, çdo respekt për Florim Zukën, njëjtë edhe Naser Ramaj, ishte i fuqishëm, e dimë sa ka kontribuuar dhe se ku e kishte dërguar Feronikelin”, thotë Zeka.
Kreu i Trepçës ’89, skuadër kjo që në sezonin e ri do të garoj sërish në Superligë ku u kthye nga Liga e Parë, paralajmëron se shumë shpejt futbolli i Kosovës do t’i humbas edhe ata pak donatorë të mëdhenj që i kanë mbetur.
“Shumë shpejt ekipet do të mbesin pa pronarë, pa biznesmenë, pa investitorë. Ka me ik shumë shpejt edhe Arsim Kabashi i Ballkanit, edhe ai ka bërë shpenzime marramendëse, por për fat të mirë doli kampion. Besoj se do të largohen shumë shpejt të gjithë biznesmenët e fuqishëm, shpenzo ka 2 milionë dhe nuk mund të shpallet kampion. Nëse nuk rregullohet futbolli kosovar, vaj halli për ne”, u shpreh ai.
Largimin nga Gjilani, Florim Zuka e kishte bërë me arsyetimin se nuk kishte arritur të bëhet kampion në kampionatin e kaluar. Por, dorëheqjen nuk e kishte bërë pas përfundimit të kampionatit, por pas ndeshjeve evropiane të Gjilanit, respektivisht pak javë para fillimit të sezonit të ri.
Ndërsa, Naser Ramaj kishte thënë se kriza ekonomike kishte ndikuar në marrjen e vendimit për ta lënë Feronikelin.
Mirëpo, Abedin Zeka beson se këto vendime të Zukës e Ramajt kanë pasur edhe motive tjera.
“Ne nuk kemi infrastrukturë, s’kemi përkrahje shtetërore, nuk e dimë se çka gëzojmë nga UEFA e FIFA, t’i investojë 1 a 2 milionë, në fund i gëzojmë vetëm 250 mijë euro. Pastaj, kush e meriton duhet të shpallet kampion. Kush te meriton duhet të fitojë, jo referët të vendosin apo krerët e Federatës, të gjithë jemi të njëjtë, të gjithë të barabartë, duhet ta kemi një organizim më të mirë. Si të investosh në Kosovë?”, thotë Zeka.
Ai paralajmëron se dy vitet në vazhdim do të jenë të rrezikshme për futbollin e Kosovës.
“Bravo i qoftë Florim Zukës, e ka pa që është e kotë të investosh, nuk i ke të drejtat si të tjerët. Një ditë të betohem që do të ikin të gjithë pasi trajtohen mjaft keq. Jam i bindur se do të ikin brenda dy vjetësh. Do të varfërohet futbolli i Kosovës”, vazhdoi ai.
Zeka qe një kohë të gjatë është rreshtuar në një grup “opozitar” të kryesisë aktuale të FFK-së, e cila në prill e mbajti një Kuvend Zgjedhor me shumë kundërshtime, polemika e dyshime. Ai insiston se keqqeverisja e kryesisë së FFK-së po i kushton futbollit të brenda kufijve të Kosovës, kurse shton se drejtuesit e FFK-së po merren me punë të jashtme, të cilat po ashtu s’po i japin më rezultate as Kombëtares së Kosovës.
“Federata merr para nga UEFA dhe nga FIFA, nuk e di se ku shkojnë ato para. FFK merr para nga fondi i solidaritetit, para për zhvillimin e akademive, por ato nuk ju ndahen akademive të klubeve. Se dimë sa para na takojnë prej të drejtave televizive. Janë shitur ato pa dijeninë tonë, pa u konsultuar me ne. Ne duhet të jemi pjesëmarrës në negociata për të drejtat televizive dhe për të gjitha vendimet e mëdha pasi Federata s’mund të mbijetojë pa klube”, vazhdoi Zeka.
Ai tregoi se e ka menduar edhe vet largimin nga futbolli, pjesë e të cilit është prej më shumë se dy dekadash. “E kam menduar largimin edhe unë, por nuk jam larguar për inati. Jam i fortë dhe Mitrovica është djep i futbollit, ma kanë bërë të padrejtë kur më larguan nga liga, por u ktheva shumë shpejt. Edhe unë mund të largohem. Më mirë të investojmë në familjet tona sesa të investojmë në një futboll ku ka parregullsi dhe padrejtësi”, tha Zeka.
Bylbyl Sokoli përmend faktorët e largimit të donatorëve: nga investimet pa kthim deri te padrejtësitë ndaj tyre
Në anën tjetër, eksperti Bylbyl Sokoli e përmend një varg faktorësh që po ndikojnë te braktisja e futbollit kosovar nga ana e atyre pak investitorëve që i ka. Trajneri i njohur e me përvojë kujton se në futbollin e Kosovës klubet, respektivisht investitorët e tyre, nuk fitojnë asgjë, por vetëm shpenzojnë pa kompensim.
“Shkaqet e dorëheqjes së investitorëve në futboll janë kryesisht të natyrës organizative, organizimi profesional brenda klubit. E para është planifikimi jo i mirë i buxhetit. E dyta, pak angazhim rreth shfrytëzimit të Ligjit për Sport. E treta, mungesa e një rregulloreje të FFK-së për angazhimin e futbollistëve të rinj në ekipin e seniorëve. Dhe, në fund mund të ketë edhe arsye që investitorët konsiderojnë se ju është bërë e padrejtë”, deklaron Sokoli për Gazetën Express.
“Kur klubi fillon të punojë me humbje, investitorët tërhiqen. Ka më shumë të dala sesa të hyra. Është një afarizëm jo rentabil i klubeve, pra punohet me humbje. Pronarët e klubeve duhet të punojnë në bazë të asaj shprehjes ‘shtrij këmbët sa e ke jorganin’. Jo të bëjnë shpenzime të mëdha në angazhimin e lojtarëve të huaj dhe në moshë, që nuk janë shumë të dobishëm, apo që ekipet të shkojnë në Antalya për përgatitje. Krejt këto janë planifikim jo i mirë i buxhetit”, nënvizoi Sokoli.
Që nga paslufta futbolli kosovar mezi ka mbijetuar falë kontributit të donatorëve vullnetarë. Por, shumë klube nuk i kanë mbijetuar krizës dhe besohet se më shumë se 100 ishin shuar, në mesin e tyre edhe klube kampione të Kosovës. Bashkë me to kanë falimentuar edhe dhjetëra njerëz që po e ndihmonin financiarisht futbollin.