Fjalë Kyçe

Shkaku i reshjeve mund të ketë vërshime në disa pjesë të Kosovës, institucionet në gjendje gatishmërie

Shkaku i reshjeve mund të ketë vërshime në disa pjesë të Kosovës, institucionet në gjendje gatishmërie

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti është njoftuar nga Qendra e Situatave gjegjësisht nga Këshilli i Sigurisë së Kosovës, se nga reshjet e vazhdueshme atmosferike, në pjesë të caktuara të vendit situata mund të përkeqësohet me mundësi të vërshimeve.

Sipas të dhënave nga Qendra e Situatave, në autostradën Pejë-Prishtinë afër rrethrrotullimit tek aeroporti, ka filluar të ngritët niveli i ujit, por megjithatë autostrada është e kalueshme.

“Njësitet e Policisë janë në vendin e ngjarjes në fshatin Kuzmin, ku rruga është e pakalueshme, niveli i ujit është në rritje dhe mund të rrezikohen disa shtëpi.Në Volljakë tek Guri i zi, restorantet janë përmbytur nga uji i Drinit të Bardhë dhe lumi Mirusha. Në zonën e Malishevës të gjitha rrugët janë të kalueshme por me vështirësi”, njofton Zyra për Komunikim në Qeverinë e Kosovës.

Tutje në njoftim thuhet se të gjitha institucionet shtetërore janë në gjendje gatishmërie.

“Qendra e Situatave – Këshilli i Sigurisë së Kosovës, bën të ditur se të gjitha institucionet e Kosovës janë duke e përcjellë nga afër situatën dhe të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në gjendje gatishmërie, përfshirë këtu Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Shtabet Lokale, Policinë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”, njofton Qeveria e Kosovës.