Fjalë Kyçe

Shkëlqimi i Bytyqit në ndeshjen e 200-të për Vikingun

Shkëlqimi i Bytyqit në ndeshjen e 200-të për Vikingun

Sulmuesi Zymer Bytyqi ka lënë gjurmë në ndeshjen e tij te 200-të me Vikingun në kampionatin norvegjez.

24-vjeçari ishte protagonist në fitoren e ekipit të tij ndaj Aalesundit me rezultatin 5:2, duke realizuar dy gola dhe duke siguruar një penallti. Penalltinë e siguruar në ndeshjen e së dielës në gol e shndërroi sulmuesi tjetër nga Kosova, Veton Berisha.

Bytyqi shënoi në minutën e pestë dhe të 73-të. Goli i dytë i shënuar nga Bytyqi ishte spektakolar, nga goditja e dënimit.

Sulmuesi që është kandidat për vend në Përfaqësuese të Kosovës është pjesë e klubit norvegjez që nga vitit 2015, kur u transferua nga Red Bull Salzburgu.

I lumtur me këtë arritje në kampionatin norvegjez është shprehur vetë futbollisti që ndihet krenar me këtë shifër jubilare në moshë të re.

“Jam ndier shumë i lumtur me këtë sukses të arritur në këtë ndeshje. Edhe më e bukur kjo ndeshje u bë me shënimin e këtyre dy golave që në fund ndihmuan ekipin të marr pikët e plota nga kjo përballje. Jam vetëm 24-vjeçar dhe ndihem krenar që në këtë moshë kam arritur të luaj 200 ndeshje me Vikingun”, u shpreh Bytyqi për KOHËN. Sulmuesi këmbëshpejtë e ka nisur në mënyrën më të mirë sezonin në kampionatin norvegjez duke qenë një ndër lojtarët kryesorë. Bytyqi së bashku me Veton Berishën dhe Ylldren Ibrahimajn janë lojtarët më të dalluar te ekipi i Vikingut. Bytyqi thotë se puna e madhe në stërvitje ka bërë që të shpërblehet në ndeshje.

“Kam punuar shumë vazhdimisht me intensitet të lartë gjatë stërvitjeve për të arritur deri te golat dhe asistimet. Jam i lumtur me këtë start dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm edhe në ndeshjet në vazhdim”, potencoi Bytyqi.