Shkencëtarët në Australi kanë nisur testimin e dy vaksinave potenciale për koronavirus, pasi vaksinat e krijuara nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania amerikane, Inovio Pharmaceutical, janë konsideruar të sigurta për testim në kafshë nga Organizata Botërore e Shëndetesisë.
Agjencia kombëtare për shkencë e Australisë do të përcaktojë nëse funksionojnë vaksinat, dhe nëse ato të jenë të sigurta për njerëz.
Testimi i parë në njerëz i një vaksine është realizuar në Shtetet e Bashkuara një muaj më parë, duke u kaluar faza e testimit në kafshë.
Aktualisht janë duke u zhvilluar një varg vaksinash tjera në gjithë botën me një shpejtësi të jashtëzakonshme.
Mirëpo Agjencia australiane ka thënë se testimet do të jenë provat e para gjithpërfshirëse të vaksinave në modelin e kafshëve.
Studiuesit kanë thënë se shpejtësia dhe niveli i bashkëpunimit global, që ka rezultuar me këtë fazë, ka qenë i pashembullt.
“Normalisht duhet një deri në dy vjet për të arritur në këtë pikë dhe ne e kemi shkurtuar atë periudhë në disa muaj”, ka thënë mjeku Rob Grenfell nga kjo agjenci.
Rezultatet e para të testimeve nga kafshët mund të publikohen në fillim të muajit qershor, kanë thënë shkencëtarët.
Nëse dalin të suksesshme, vaksinat mund të barten nëpër klinika tjera për testime.
Megjithatë ekspertët paralajmërojnë se do të duhen të paktën 18 muaj që ndonjë vaksinë potenciale të jetë e gatshme për përdorim në njerëz, bazuar në rregulloret për testim dhe standarde.