Qeveria e Britanisë së Madhe ka vendosur që shkollat në Lindër të qëndrojnë të mbyllura për dy javët e ardhshme për ta luftuar përhapjen e variantit të ri të koronavirusit, për të cilin thuhet se është shumë më ngjitës.
Të mërkurën, ministri i Arsimit, Gavin Ëilliamson, paraqiti një plan për shtyrjen e hapjes së shkollave të mesme të ulëta, ndërsa shkollat për fëmijët deri në moshën 11-vjeçare duhet të hapen javën e ardhshme.
Shkollat do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura vetëm në pjesët më të prekura të vendit, përfshirë disa distrikte të kryeqytetit. Megjithatë, për këtë vendim u ankuan autoritetet lokale të disa zonave, ku shkollat pritet të hapen më herët.
Lajmin për mbylljen e shkollave e konfirmoi edhe kryetari i Londrës, Sadiq Khan, i cili në rrjete sociale shkroi: “Të gjitha shkollat fillore në Londër do të trajtohen në mënyrën e njëjtë. Ky është vendimi i duhur dhe dua ta falënderoj ministrin e Arsimit për bisedat tona konstruktive gjatë dy ditëve të kaluara”.
Ndryshe, Britania e Madhe është në mesin e shteteve më të prekura nga koronavirusi, si për numrin e të infektuarve, ashtu edhe për shifrën e viktimave. Vendi së fundi po përballet edhe me një variant të ri të koronavirusit, i cili raportohet se përhapet deri në 70 për qind më shpejt se varianti fillestar.