Guvernatori i Bejrutit, Marwan Abboud, ka thënë se mbi 200 persona besohet të kenë vdekur nga shpërthimi i së martës që e shkatërroi kryeqytetin libanez.
Sipas tij, dhjetëra njerëz janë ende të zhdukur. Në mesin e të zhdukurve ka shumë punëtorë të huaj, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Ndërkohë ushtria libaneze e ka ndërprerë operacionin e kërkim-shpëtimit në portin e qytetit, që ishte epiqendra e shpërthimit.
Të dielën, qyteti u përball me protesta të dhunshme pasi policia u përlesh me protestuesit e zemëruar me reagimin e qeverisë ndaj kësaj fatkeqësie.
Dorëheqja e një ministreje dhe disa deputetëve nuk e ka shuar zemërimin e qytetarëve që po protestojnë para ndërtesave të institucioneve shtetërore.
Që nga dita e shpërthimit, qindra mijëra njerëz janë duke banuar në shtëpi shumë të dëmtuara, shumë prej të cilave kanë mbetur pa dyer dhe dritare.
Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se vendi do të përballet me krizë humanitare, nëse atje nuk dërgohen menjëherë ndihma ushqimore dhe mjekësore.
Disa shtete që morën pjesën në konferencën e donatorëve të dielën u zotuan për dhurimin e 253 milionë eurove si përkrahje urgjente për Libanin.