Fjalë Kyçe

Shkrimi special i ‘JudoInside’, dhjetë vite pas debutimit të Majlinda Kelmendit me medalje të artë

Shkrimi special i ‘JudoInside’, dhjetë vite pas debutimit të Majlinda Kelmendit me medalje të artë

Kategoria deri në 52 kilogramë ishte gjithnjë e dominuar nga xhudistët nga Azia. Që prej Lojërave Olimpike “Athina 2004”, vashat aziatike fituan tituj olimpik si dhe tituj të rëndësishëm ndërkombëtar.

Dhjetë vite më parë ne nuk e njihnim me të vërtetë Majlinda Kelmendin, nga Kosova.

Ne e kemi parë emrin e saj në kompeticione jo të njohura në Zvicër apo në vendet e rajonit të Kosovës, si në Bosnje, por në Kampionatin Botëror të xhudos për grupmoshat deri në 18-vjeç në Paris, xhudistja nga Peja debutoi me medalje të artë, shkruan “JudoInside”.

Natyrisht, Majlinda Kelmendi nuk e filloi karrierën si kadete me titull, por në vazhdim ajo mori pjesë edhe në një turne të juniorëve, ku arriti që ta fitojë titullin e kampiones evropiane në Jerevan, që ishte hapi serioz i njohjes së këtij ‘diamanti të papërpunuar’, e cila aso kohe përfaqësonte Shqipërinë pasi u deshtën edhe gjashtë vite që Kosova të pranohej në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos.

Pranimi i Federatës të Xhudos së Kosovës në instancat më të larta ndërkombëtare erdhi si rezultat i përpjekjeve të trajnerit Driton Kuka, presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe si dhe presidentit të IJF-s, Marius Vizer, por natyrisht edhe falë shkëlqimit të Majlinda Kelmendit.

Pas titullit të kampiones evropiane në Jerevan, Majlinda Kelmendi, ambasadorja më e mirë e sportit të Kosovës, vazhdoi fillet e suksesshme të karrierës edhe me një titull të kampiones botërore për të rinjë në kryeqytetin francez, Paris.

Sot kur Kosova është pjesë e instancave më të mëdha të xhudos ndërkombëtare, Majlinda ka refuzuar edhe shtete më të forta se Kosova vetëm që të fitojë dhe ta bëjë vendlindjen e saj krenar.

Njohja e Kosovës

Përveç tre titujve evropianë, dy titujve botëror dhe një medalje ari olimpike, në vitin 2016, Majlinda Kelmendi bëri shumë më shumë për vendin e saj.

Në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, të cilat u mbajtën në Brazil, Majlinda Kelmendi mbajti flamurin e Kosovës duke e promovuar sportin kosovarë në Amerikën Latine.

Sot, para Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, të cilat zhvillohen vitin e ardhshëm, Majlinda është e gatshme ta ndihmojë çdo xhudistë të ri në rrugën drejt suksesit në këtë sport.

Dhjetë vite pas medaljes së artë në Kampionatin Botëror të juniorëve, Majlinda synon të triumfojë edhe në Lojërat Olimpike të cilat mbahen vitin tjetër në Tokio.

Ani pse ka konkurrencë të fortë, Majlinda është duke punuar shumë që të triumfojë në këtë garë, përcjell Zëri.info.

Promovuese natyrore

Përveç gjithë kësaj që përmendëm më lartë, Majlinda është një person shumë modest, një promovuese natyrale dhe një xhudiste për të cilën interesimi vetëm sa shkon e rritet.

Në ranglistën e përgjithshme botërore, xhudistja e suksesshme kosovare renditet në vendin e tetë, por ajo shpreson që së shpejti të jetë në krye të kësaj renditje.

Pavarsisht debutimit të saj dhjetë vite më parë, Majlinda Kelmendi mori pjesë në vetëm gjashtë Kampionate Botërore për shkak të disa lëndimeve.

Megjithatë, xhudo ka evolvuar dhe kategoria deri në 52 kilogramë nuk ishte interesante aq sa është tani. Kjo kategori ishte e dominuar nga japonezët, por Kelmendi ishte xhudistja e parë jo-japoneze që theu tabu në dekadën e fundit në këtë kategori.

Konkurrenca

Me Majlinda Kelmendi që feston sot ditëlindjen e 28-të, konkurrentet e saj janë Natalia Kuziutina, Andrea Chitu, Odette Giuffrida dhe Amandine Buchard. Pasi Kelmendi theu dominimin e xhudisteve nga Japonia në këtë kategori, tani edhe xhudistet nga vende tjera janë duke shprehur optimizëm se mund ta kopjojnë Majlindën tonë.