Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Francës, Gjermanisë, Maqedonisë së Veriut, Greqisë, si dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, morën pjesë sot në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila dështoi për herë të 52-të.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, tha se Kosovës i nevojitet Kuvendi dhe një qeveri e re që sipas tij do të ndërtonte një urë të re me Brukselin që ta përshpejtojë rrugëtimin e saj drejt BE-së.
Ai u shpreh se shkuan me shpresë të madhe, por siç u tha ai sërish nuk ndodhi asgjë.
“Ne erdhëm me shpresë të madhe këtu dhe fatkeqësisht asgjë nuk ndodhi sërish. Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë, i duhet një qeveri e re që do ta ndërtonte një urë të re të fortë mes Kosovës dhe Brukselit që ta përshpejtojë rrugëtimin e sa drejt BE-së”, tha Orav.
shkolloreNdërkaq, ambasadori gjerman Jorn Rohde e cilësoi situatën si shqetësuese, duke theksuar se, sipas tij, klasa politike po e zhgënjen popullin e vet.
Rohde e quajti “karton të kuq” vendimin e 24 korrikut të Gjykatës Kushtetuese, pasi siç tha ai po e pezullon Parlamentin që të marrë vendime.
“Klasa politike po e zhgënjen popullin e vet dhe është shumë shqetësuese. Vendimi i djeshëm i gjykatës ishte, nëse flasim me gjuhën e futbollit mund të themi si një karton i kuq sepse po e pezullon Parlamentin që të marrë vendime”, tha Rohde.
Sot dështoi për herë të 52-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka kthyer të premten më 24 korrik, përgjigje ndaj kërkesave të PDK-së dhe LDK-së mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë të seancës së mbajtur më 29 qershor 2025.
Kushtetuesja ka caktuar masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur lidhur me seancën konstituive pas përfundimit të afatit 30 ditor, dhe se nuk do të mund të marrin asnjë vendim tjetër nga 27 korriku deri më 8 gusht.
Vazhdimi i 51-të i seancës më 23 korrik, u ndërpre nga kryesuesi Avni Dehari, duke thënë se nuk ka kushte për mbajtjen e saj dhe nuk e hodhi në votim formimin e komisionit të fshehtë, duke caktuar 25 korrikun si datë për vazhdimin e radhës nga ora njëmbëdhjetë, transmeton KosovaPress.