Fjalë Kyçe

“Shmangni tubimet”, në Klinikën Infektive po trajtohen disa pacientë me COVID-19

“Shmangni tubimet”, në Klinikën Infektive po trajtohen disa pacientë me COVID-19

Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, ka deklaruar se pesë persona janë duke u trajtuar aktualisht në këtë klinikë nga COVID-19. Ai ka thënë se ditët e fundit ka pasur kërkesë për hospitalizim nga ky virus.

Vishaj ka thënë se ky virus në stinën e verës ka mundësinë e përhapjes më të madhe për shkak të fluksit, teksa simptomat janë të njëjta si të viteve të kaluara.

“Këto tri ditët e fundit kemi pasur kërkesë për hospitalizim. Të hënën kemi pranuar nëntë pacientë. Tashmë në Klinikën e Infektives dhe dy pacientë i kemi lëshuar në shtëpi, dhe aktualisht kemi i pesë pacientë në klinikë duke i trajtuar. Është me natyrën e virusit COVID-19 që të pësoj dhe përsëritet herë pas here kryesisht ajo pjesë e popullit që ka imunitet te dobët. Simptomologjia duke që është e njëjtë nuk ka ndonjë ndryshim, ne jemi duke i trajtuar ata shumë mirë. Ne i kemi tre pacientë që jemi duke i trajtuar me oksigjeno-terapi, kurse dy të tjerë në Qendrën Klinike të Përgjithshme”, ka thënë Vishaj.

Ndërkaq, Vishaj theksoi se në kohën e verës ardhja e mërgimtarëve nga vendet e ndryshme, rrit mundësinë e shpërndarjes më të madhe të virusit COVID-19.

“Duket që virusi COVID-19, pëson ndryshime gjenetike prej një njeriut në njeriun tjetër. Në ditët e fundit kemi një grumbullim më të madh të popullatës në përgjithësi, kemi popullatë prej krejt botës. Kemi informacione që në Francë, Gjermani ka raste me këtë virus dhe mundësia e bartjes është më e mundur. Ky virus na ka mësuar që në stinën e verës ka mundësi me u përhap më shumë. Përkundër viruseve të tjera qe i kemi pasur nuk kanë qenë karakteristikë kohore që e ka ky virus”, theksoi ai.

Sipas tij, ky virus është bërë i zakonshëm dhe nuk është diçka për tu shqetësuar. Madje, ai ka thënë se ka simptomat e njëjtë sikurse para katër viteve. Po ashtu, ai apeloi tek qytetarët që t’i shmangen grumbullimeve të njerëzve në mënyrë që të mos përhapet virusi.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë COVID-19 e ka shpallur si emergjencë globale kurse IKShPK ka shpallur nuk është emergjencë nacionale, pra ky virus tashmë është i zakonshëm. Kryesisht i prek moshat që kanë çrregullim të imunitetit. Shenjat janë të njëjta, temperatura, lodhje ethe, vështirësi në frymëmarrje. Qytetarët që kanë manifestime të gripit preferohet të shmangen grumbullimit në zonat e mbyllura me grupe njerëzish sepse ka mundësinë e shpërndarjes së virusit”, u shpreh ai.