Fjalë Kyçe

Shoqata e Bankave e shqetësuar me sulmet e armatosura, kërkon më shumë siguri nga Policia

Shoqata e Bankave e shqetësuar me sulmet e armatosura, kërkon më shumë siguri nga Policia

Kryeshefi ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka thënë se institucionet e rendit dhe ligjit duhet të punojnë më shumë për sigurinë në banka për të evituar sulmet e armatosura.

I ftuar në emisionin “SOT” të KTV-së, Balija ka deklaroi të hënën se për të punuar lirshëm këto institucione financiare, Policia duhet të arrestojë më shumë persona që janë të përfshirë në këto raste, si dhe t’u shqiptohen dënimet e merituara.

“Si Shoqatë e Bankave jemi bashkuar me Policinë e Kosovës, me BQK-në, me Ministrinë e Brendshme, me të cilat kemi takime të rregullta dhe shkëmbejmë përvoja. Kemi rritur sigurinë nëpër degët e bankave gjithandej, por i takon Policisë së Kosovës që të bëjë më shumë për të siguruar që bankat të afarojnë lirshëm. Do të duhej të ketë më shumë arrestime të personave që janë të involvuar në këto raste dhe mbi të gjitha të shohim më shumë dënime sipas ligjit”, ka thënë ai.

Balija ka njoftuar se bazuar në informacionet që kanë nga Policia, personat që i kryejnë sulmet e armatosura në banka, edhe pas arrestimit lirohen dhe vazhdojnë aktivitetet e tyre në grupe të ndryshme kriminale nëpër Ballkan.

Sipas të dhënave, Balija ka thënë se këtë vit ka ndodhur një grabitje të armatosur.

Kryeshefi ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës është deklaruar edhe në lidhje me dy krizat globale të njëpasnjëshme, atë që e shkaktoi COVID-19 dhe atë që e shkaktoi lufta në Ukrainë.

Ai ka thënë se pavarësisht këtyre krizave, sektori bankar është i mirëkapitalizuar dhe stabil. Derisa çmimet e produkteve janë duke u rritur, Balija ka thënë se normat e interesit janë në rënie më të madhe sesa gjatë viteve të kaluara.