Bekim Shotani është rikthye edhe njëherë tjetër te Vushtrria, por për dallim nga vitet e kaluara kur për objektiv mund të ketë patur titujt kampion, tashmë trajneri vushtrrias do mundohet ti mbajë në elitë ish-kampionët e vendit, shkruan Gazetasheshi.com.
Megjithëse klubi nuk është në gjendjen më të mirë financiare, Shotani pranoi pa hezitim detyrën e trajnerit të kësaj skuadre, teksa foli për arsyen e rikthimit dhe fillimin e përgatitjeve.
“Jam rikthyer te Vushtrria sepse klubi kishte nevojë si asnjëherë më parë, sidomos pas largimit të drejtuesve të klubit dhe donatorëve. 15 vite si futbollist dhe 6 vite si trajner kam kaluar në këtë klub dhe ishte koha për tu rikthyer edhe njëherë tjetër dhe për të dhënë kontributin tim. Përgatitjet tashmë veçse i kemi filluar dhe po bëhemi gati, pasi që e dijmë se na pret një Superligë shumë e fuqishme”, deklaroi Shotani.
Ai gjithashtu foli edhe për objektivin e vushtrriasve këtë edicion.
“Objektivi real i klubit është të renditemi në mesin e artë të tabelës, nga vendi i katërt deri në vendin e tetë”, përfundoi Shotani.
Deri më tani te Vushtrria janë afruar Rinor Karaqa, Petrit Tahiri, Kujtim Pantina, Besfort Dervishaj, Qendrim Gashi, Bashkim Shala dhe Enes Manxholli, teksa kanë rinovuar edhe një pjesë e madhe e ekipit, megjithëse ka patur edhe dalje.
Futbollistët e larguar nga “Ferki Aliu” janë Kastriot Selmani, Labinot Osmani, Leutrim Kadriu, Eugen Rafuna, Alban Rexhepi dhe Korab Hasani.