Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dje është përfshirë në një përleshje me disa persona, tek lokali ku ndodhen zyret e kësaj partie në këtë Komunë, shkruan Gazeta Metro.
Në disa pamje ekskluzive të sigurara nga Gazeta Metro, Bulliqi shihet duke u përleshur vebralisht me disa persona, e siç duket ka ndërhyrë edhe policia e Kosovës.
Rasti siç bëjnë të ditur burime të Metros, ka ndodhur dje. Mirëpo, rreth kësaj nuk ka raportuar sot policia në raportin 24 orësh, ani pse janë parë në vendin e ngjarjes.
Kujtojmë se po në ditën e njëjtën, Bulliqi është përfshirë në një aksident trafiku, ku fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar vetëm dëme materiale.
Vlen të theksohet se zgjedhjet në Podujevë, që duhej të mbaheshin sot e në të cilat garojnë LDK, VV dhe PDK, janë shtyrë për shkak të koronavirusit që ka arritur tashmë në vend me 5 të infektuar, shkruan Gazeta Metro.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dje ka marrë vendim për shtyrjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës në Podujevë, pas pranimit të rekomandimit nga Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
Në mbështetje të nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës (GZ, nr. 47, 25 janar 2009), nenit 4 të Ligjit nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës (GZ, nr. 32, 15 qershor 2008), si dhe duke marrë parasysh kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të pranuar nga Zyra e Presidentit më 14 mars 2020, Presidenti i Republikës së Kosovës ka nxjerr vendim për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës.
Data e zgjedhjeve do të përcaktohet më vonë, pas vlerësimit të gjendjes epidemiologjike dhe pas pranimit të vlerësimit se do të jetë e sigurt që të mbahen zgjedhjet për Kryetar të Komunës së Podujevës.