Anëtari i kryesisë së PSD-së, Zgjim Hyseni ka konfirmuar se me draft-rezolutën që planifikohet të votohet në Kuvendin e Kosovës lidhur me dialogun me Serbinë, kryetari i kësaj partie Shpend Ahmeti do të jetë bashkëkryesues i këtij procesi bashkë me Fatmir Limajn e Nismas.
“Mund të konfirmoj se do të jetë në bashkëryesim mes Fatmir Limajt dhe Shpend Ahmetit dhe dy vende do t’u ofrohen edhe dy partive tjera opozitare”, ka thënë Hyseni, njofton Klan Kosova.
“Dua të theksoj që është e vërtetë që situata e deritanishme mund të karakterizohet si aventurë personale e Presidentit Thaçi që deri tash ka vazhduar negociatat pa mandat të Kuvendit, pa një ekip të kuvendit dhe mbi të gjitha pa një platformë. Aventura e Thaçit duhet të ndalet. Për t’u ndal kjo aventurë është që vendimmarrja t’i kthehet Kuvendit. Dhe saktësisht po e bëjmë këtë”.
“Kemi propozuar rezolutë që e rregullon vendimmarrjen karshi dialogut. Në rezolutën tonë parashihet që ekipi negociator të jetë i përfshirë në delegacionin që shkon në dialog në mënyrë direkete, qoftë në komisione”, është shprehur Hyseni.
Ai ka theksuar se do të ketë ligj për dialogun 30 ditë nga miratimi i rezolutës dhe se do të ketë edhe platformë për dialogun.
“E kemi pajtimin e subjekteve tjera që për marrëveshjen përfundimtare të ketë referendum popullor.
As Presidenti dhe askush tjetër nuk mund të bëjë veprime pa dakordimin e ekipit engociues”.