Ish-pushteti komunal i Podujevës kishte shpërfilluar procedurat gjatë punësimit të disa zyrtarëve komunalë.
Përveç që ishin angazhuar 64 zyrtarë për shërbime të veçanta gjatë vitit 2020, për 38 prej tyre nuk ishin kryer procedurat e parapara ligjore. Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj vjetor për këtë komunë thekson se Ligji për zyrtarët publikë nr. 06/L-114 në nenin 84 specifikn se Marrëveshjet për shërbime të veçanta, lidhen sipas legjislacionit përkatës të prokurimit publik.
Tutje, sipas paragrafit 4 të ndryshim plotësimit të rregullave të KRPP-së për prokurim të shërbimeve të veçanta (konsulent/kontraktorët individual) këto rregulla aplikohen vetëm për prokurimin e shërbimeve të veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit.
“Komuna gjatë vitit 2020 kishte angazhuar 64 zyrtarë për shërbime të veçanta, këta zyrtarë ishin angazhuar për pozitat infermierë, zyrtar ligjor, zyrtar për bujqësi, për tarifa, roje, zjarrfikës, punëtorë teknik, etj. Ne analizuam rastet e angazhimit pas hyrjes në fuqi të Ligji për zyrtarët publik, dhe verifikuam se në 38 raste të angazhimeve kontratat ishin nënshkruar pa udhëhequr ndonjë procedurë të prokurimit”, theksohet në raportin e ZKA-së. “Sipas menaxhmentit kjo ishte rezultat i mungesës së pozitave të aprovuara në planifikimin e buxhetit, mirëpo komuna ka pasur të aprovuar me ligjin e buxhetit rreth 90 pozita më shumë se sa numri i të punësuarave”.
Anashkalimi i procedurave të prokurimit në lidhje me mbulimin e pozitave për shërbime të veçanta, sipas Auditorit, përveç mosrespektimit të procedurave ligjore po ashtu e rrit edhe rrezikun e angazhimit të personave jo adekuat për pozita dhe detyrat e caktuara, çka mund të reflektojë edhe në performancë e tyre në punë.
“Kryetari duhet të sigurojë se janë ndjekur të gjitha procedurat dhe hapat e prokurimit në angazhimin e kontraktorëve individualë për shërbime të veçanta duke u kujdesur që personeli i angazhuar do të jetë në gjendje të përmbushin detyrat e kërkuara. Po ashtu, menaxhmenti duhet të përkujdeset që angazhimet për pozitat e rregullta të zhvillohen përmes procesit të rregullt të rekrutimit”, theksohet më tej në raport.
Pas ndërrimit të pushtetit komunal në Podujevë, nëpërmjet një konference për media, kryetari aktual, Shpejtim Bulliqi, kishte thënë se i kanë gjetur 57 punëtorë me kontratë mbi vepër që ishin angazhuar në administratën komunale, në QKMF, etj., në kohëzgjatje më shumë sesa që e lejon ligji.
Gjatë kësaj konference për media, ai kishte thënë se Ligji për punë dhe ai për shërbyes civil nuk e lejon mbajtjen e një personi me kontratë mbi vepër më shumë se 120 ditë brenda një viti.
Ndërkohë, sipas Bulliqit, në Komunën e Podujevës ka punëtorë që janë prej vitit 2010 me kontratë mbi vepër.