Autoritetet rajonale të Madridit këshilluan sot që popullsia të izolohet në zonat më të prekura nga koronavirusi, sepse numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara në Spanjë është rritur me më shumë se 8 000 brenda 24 orëve.
“Përpiquni të qëndroni në shtëpi, në zonat ku ka më shumë raste. Mundohuni të shmangni udhëtimet e panevojshme dhe grumbullimet me më shumë se 10 persona”, tha zëvendëskëshilltari i Shëndetit Publik i qeverisë rajonale të Madridit, Antonio Zapatero.
“Virusi po lëviz, sepse ne po e lëvizim atë”, shtoi ai. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Spanja regjistroi sot 386 054 gjithsej, rreth 8 100 më shumë se një ditë më parë, ku rajoni i Madridit është një nga më të prekurit nga pandemia.