Llogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar tash e tri ditë. Arsye për këtë është borxhi që ndërmarrja publike ia ka kompanisë “Dardafon”. Por, kur do të zhbllokohen xhirollogaritë dhe çfarë po bën Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në këtë drejtim?
Zyrtarë në Ministrinë që udhëhiqet nga Blerim Kuçi thonë se janë takuar me përfaqësues të kësaj kompanie dhe se kanë kërkuar zhbllokimin e xhirollogarisë së Telekomit, por se deri tash nuk kanë marrë përgjigje se kur do të ndodhë një gjë e tillë.
“Në takimet me operatorin Dardafon, kërkesë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit ishte zhbllokimi i xhirollogarisë së Ndërmarrjes Publike Telekomi i Kosovës, por Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ende nuk ka përgjigje se kur do të vijë deri te zhbllokimi i xhirollogarisë”, kanë deklaruar zyrtarë nga MEA-ja për Express.
Zyrtarë nga kjo Ministri deklarojnë se janë në kontakt të vazhdueshëm me kompaninë e vëllezërve Devolli për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
“Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit është në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët e kompanisë Dardafon dhe Telekomit të Kosovës me qëllim që të gjendet zgjidhja lidhur me çështjen e borxhit të Telekomit të Kosovës ndaj Dardafonit”.
Ndryshe, nëse xhirollogaritë nuk zhbllokohen këtë javë, rreth 3 mijë e 500 punëtorë të Telekomit dhe Postës mund të mbesin pa paga këtë muaj.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, i ka thënë Gazetës Express se përveç që rrezikohen pagat e punëtorëve, rrezikohet edhe operimi i gjithë ndërmarrjes.
“Përderisa xhirollogaritë janë të bllokume, jo vetëm që rrezikohen pagat e punëtorëve, por edhe operimi i gjithë ndërmarrjes sepse munden me mbetë pajisjet pa furnizim. Gjithçka varet nga mjetet, pra lidhemi me pare. Rrezikohen pagat e 3 mijë e 500 punëtorëve të Telekomit dhe Postës dhe rrezikon seriozisht me ra të gjitha shërbimet”, ka thënë Balaj.
Zyrtarë nga kjo sindikatë nuk i përjashtojnë as protestat nëse ka vonesa në paga. Sipas Balajt, nëse nuk do të ketë zhbllokim të llogarive, ata brenda një ore janë të gatshëm që të dalin në protesta.
“Gjithçka është e gatshme, operative është t’u funksionu, grupi i grevave dhe protestave janë të gatshëm. Nëse nuk do të ketë zhbllokim të xhirollogarive, atëherë ne jemi të gatshëm që brenda një ore të dalim në protesta, por që njëherë po e presim vendimin”, ka deklaruar Balaj për Express.
Pas bllokimit të llogarive në Telekom, sindikata ka kërkuar që të shkarkohet bordi i kësaj ndërmarrje.
Kjo nuk është hera e parë që kësaj kompanie i janë bllokuar llogaritë si pasojë e borxhit që ka ndaj Z-Mobile.