Afër 70 për qind e kallëzimeve penale për vepra të korrupsionit janë hudhur poshtë ose kanë pushuar hetimet nga ana e prokurorëve.
Shumë thirrje janë bërë vazhdimisht drejt sistemit prokurorial për hetimin e rasteve të korrupsionit e krimit të organizuar, por sipas një raporti që vet e kanë prezantuar del se më shumë se gjysma e kallëzimeve penale që kanë ardhur për këto raste ose janë hudhur poshtë ose kanë pushuar për to hetimet.
Këto diskutime janë bërë në mbledhjen e sotme të Këshillit Prokurorial të Kosovës ku u prezantua raporti vjetor i 2023-s në nivel vendi.
Aty del se vetëm në 29 për qind të rasteve ka pasur ngritje të aktakuzës për vepra penale të korrupsionit.
“Prokuroritë gjatë 2023 kanë procedura raste për 982 persona të përfshirë në vepra penale të grupit të korrupsionit, për 68% apo 667 persona janë hudhur kallëzimi penal ose pushuar hetimet ndërsa për 29% apo 287 persona është ngritur aktakuzë pas zhvillimit të hetimeve kemi një numër të madh të të hudhjeve dhe pushimit të hetimeve.”, ka deklaruar Arben Ismajli – Anëtar i komisionit për hartimin e raportit.
Kjo sipas ish kryesuesit të KPK-së, Jetish Maloku kërkon angazhimin më të madh të tërë sistemit prokurorial.
“Për neve kjo duhet të jetë, ne e kemi biseduar edhe në raportin që kemi pasur për vitin 2023 kjo është vërtet shqetësuese, dyfish numri më i madh i hudhjes dhe pushimit të hetimit nuk tregon shumë rezultate për këtë lëndë.”, ka deklaruar Maloku.
Gjetje tjetër e këtij raporti ishte edhe se disa nga kallëzimet penale janë të regjistruara dy herë.
“Dmth nëse një kallëzim penal është paraqit prej policisë ose subjekteve të tjera, është e regjistruar në Prishtinë e është bartur në regjione të tjera e është regjistruar 2 herë kemi 153 raste me 305 persona.”, ka deklaruar Ismajli.
Në këtë mbledhje u miratua edhe raporti që përmban kërkesat buxhetore për vitin e ardhshëm, e që kërkon rritje e numrit të prokurorëve, stafit mbështetës e mbrojtësve të viktimave.
“Jemi dëshmitar këtu ne që fatkeqësisht deri më tani nuk janë plotësuar kërkesat tona buxhetore, mbetemi me shpresë së kësaj radhe kjo kërkesë e formuluar në mënyrë profesionale dhe mund të them kërkesë modeste sepse nuk kemi asgjë shpenzim të lluksit por kemi numër të stafit e prokurorëve që është e domosdoshme.”, ka deklaruar Veton Shabani – anëtar i KPK-së.
Këshilli Prokurorial ka vendosur që tash e tutje të publikojë të redaktuara vendimet disiplinore për prokurorët por edhe vlerësimin e performancës së tyre.
Në mbledhjen e sotme është betuar edhe anëtari i 12-të i KPK-së, që është Mustafë Nuhiu nga Oda e Avokatëve, raporton RTVD.