Në Belgjikë janë indetifikuar 4 raste të variantit të ri të koronavirusit i cili u zbulua në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas deklaratës së bërë nga ministri i Shëndetësisë në Belgjikë, Jan Eyckmans, katër rastet janë zbuluar në fillim të muajit në rajonet veriore flamande, që kufizohen me Hollandën.
Mutacioni i ri i koronavirusit që u indetifikua për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar, mendohet të jetë 70 për qind më i transmetueshëm.
Lidhur me këtë rast, shumë vende bote kanë vendosur që t’i ndalojnë udhëtimet me Mbretërinë e Bashkuar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi që njerëzit të mos alarmojnë, duke thënë se kjo ishte një pjesë normale e evolucionit të një pandemie.
“Ne duhet të gjejmë një ekuilibër. Është shumë e rëndësishme të kesh transparencë, është shumë e rëndësishme t’i thuash publikut ashtu siç është, por është gjithashtu e rëndësishme të pranosh që kjo është një pjesë normale e evolucionit të virusit”, ka thënë shefi i urgjencave të OBSH-së, Mike Ryan në një konferencë online.