Fjalë Kyçe

“Shqiptari më i urryer në Amerikë” mbetet në burg

“Shqiptari më i urryer në Amerikë” mbetet në burg

Një gjykatë federale ka refuzuar kërkesën e ish-shefit të kompanisë farmaceutike, “Turing Pharmaceuticals”, Martin Shkrelit për lirim nga burgu, duke hedhur poshtë pretendimin e tij se ka përkeqësim të shëndetit mendor.

Gjykatësi i Qarkut në SHBA, Kiyo Matsumoto në Brooklyn kishte thënë se Shkreli, që kishte shprehur pretendime se shëndeti i tij mendor është rënduar, ka dështuar të ofrojë arsyet e mjaftueshme për t’u liruar.

I njohur si “shqiptari më i urryer në Amerikë”, 37-vjeçari Shkreli ka kryer gati gjysmën e dënimit të tij prej shtatë vjetësh burgim për mashtrim dhe konspiracion, në një burg të sigurisë së ulët në Pennsylvania.
Ai ka shprehur pretendime se izolimet shtesë për të parandaluar COVID-19, duke përfshirë limitimin e kontakteve dhe dietat më të rënduara, kanë lodhur sistemin e tij imunitar dhe kanë rritur rrezikun e marrjes së sëmundjes.

Megjithatë, gjykata ka vendosur se çrregullimet e tij mendore s’janë faktor rreziku për COVID-19, dhe se ekspertët e shëndetit mendor e kanë konsideruar stabile gjendjen e tij.

Shkreli mund të lirohet në shtator të 2023-s.

Ai ishte dënuar më 2017 për mashtrim të investitorëve duke i mashtruar me ngritje të çmimeve të aksioneve të kompanisë që udhëhiqte.

Ishte i njohur pothuajse në gjithë botën për shkak të rritjes enorme të çmimit të ilaçit Daraprim për më shumë se 4000 për qind brenda nate, në 750 dollarë nga 17.5.