Qe nga janari i 2020-ës janë në pritje qe shtesat t’u dalin në pagat e tyre. Por pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk i morën ato asnjëherë.
Kjo për shkak se kryeministri Albin Kurti pezulloi rregulloren Për Pagat, Shtesat mbi Pagë dhe Kompensimet e Tjera në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës qe u jepte atyre këtë të drejtë.
E nga Ministria e Mbrojtjes fajin për këtë ia lënë paraardhësit të Kurtit, Ramush Haradinaj.
“ Kërkesa e drejtuar në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes ka të bëj me kompensim në diferencën në pagë sipas rregullores të QRK Nr.02/2020, që është miratuar në Qeverinë e dorëhequr të Haradinajt pa ndonjë deklaratë të ndikimit buxhetor, gjë që ka bërë që që nga viti 2020 asnjëherë të mos gjejë zbatim si rezultat i mungesës së mjeteve buxhetore. Duke parë shumë mangësi të kësaj rregulloreje, Qeveria e Republikës së Kosovës me Vendimin Nr.10/21 datë 28.07.2021 ka pezulluar nenin 22 (Shtojca 1) të Rregullores (QRK) Nr.02/2020 për pagat, shtesat mbi pagë dhe kompensimet tjera në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, ndërsa me hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave kjo rregullore nuk është në fuqi”, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes.
Në një përgjigje për Tëvë1 nga ky dikaster thonë se shtesa të tilla nuk do të ekzekutohen asnjëherë.
“Pra, ankesat e tanishme janë si rezultat i rregullores të nxjerrë pa analizë buxhetore, të mbetur në suaza të premtimit elektoral të pazbatuara nga ana e vet qeverisë së rënë të atëhershme që i ka miratuar. Janë të pavërteta lajmet se është duke u negociuar për këtë çështje, për faktin se rregullorja është miratuar nga një kryeministër i dorëhequr në mënyrë të parevokueshme, andaj dhe nuk ka as edhe një rast të vetëm që është kompensuar deri më tani nga Ministria e Mbrojtjes”, kanë thënë nga ministria
E ish-zv.ministri i Mbrojtjes në Qeverinë Haradinaj, Burim Ramadani i hedh poshtë këto deklarata.
Madje ka një mesazh për pushtetin aktual ndaj përkujdesjes që po iu bëhet ushtarëve te FSK-së.
Ndryshe, disa ushtarëve të FSK-së Gjykata u ka dhënë të drejtë në kërkesat për këto shtesa. /Tëvë1