Guvernatorët në mbarë Shtetet e Bashkuara po kërkojnë ndihmën e trupave të Gardës Kombëtare dhe po shpallin gjendje të jashtëzakonshme, teksa po bëhen gati për protesta në kryeqytetet e shteteve amerikane, përpara inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden.
Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka paralajmëruar për dhunë të mundshme në të gjitha kryeqytetet e shteteve amerikane dhe ka thënë se ka gjurmuar “biseda shqetësuese online”, përfshirë edhe biseda ku bëhej thirrje për protesta të armatosura.
Zyrtarët shtetërorë kanë zbatuar masa të sigurisë për të shmangur çdo lloj dhune, e tillë siç ndodhi më 6 janar në Uashington, ku protestues të dhunshëm, mbështetës të presidentit në largim, Donald Trump, sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan, me qëllim që të ndalonin certifikimin e fitores së Bidenit. Në këto protesta mbetën të vdekur pesë persona.
Dhjetëra guvernatorë i kanë bërë thirrje Gardës Kombëtare që të mbrojë shtetet e tyre dhe të ndihmojë zyrtarë lokalë të sigurisë.
“Ne jemi të përgatitur për më të keqen, por mbesim me shpresë se ata që kanë zgjedhur të protestojnë në kryeqytetet tona, ta bëjnë këtë në mënyrë paqësore, pa dhunë apo shkatërrim të pronës”, tha drejtori i policisë në shtetin e Miçigenit, koloneli, Joe Gasper.
Në këtë shtet, është ngritur edhe një gardh prej dy metrash në ndërtesën e guvernatorit.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom ka mobilizuar rreth 1,000 pjesëtarë të Gardës Kombëtare dhe po ashtu ka ngritur një gardh përreth ndërtesës ku ndodhet zyra e tij.
“Ne po e trajtojmë këtë situatë shumë seriozisht dhe po vendosim burime të mjaftueshme për sigurinë publike, për të mbrojtur infrastrukturën kruciale dhe të drejtat e Amendamentit të parë”, tha Newsom në një video-mesazh.
“Por, më lejoni të jem i qartë: nuk do të ketë tolerancë për dhunë”, shtoi ai.
Guvernatorët e Viskonsinit, Ohajos, Indianas, Kansasit dhe Pensilvanisë po ashtu kanë njoftuar se kanë mbyllur shtetet e tyre ose kanë vendosur kufizime në qasjen publike. Ndërkaq, guvernatorët në Merilend, Nju Meksiko dhe Utah kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
“Ne respektojmë të drejtën e qytetarëve në Utah për tubime paqësore, që garantohen në Kushtetutë”, tha guvernatori i këtij shteti, republikani Spencer Cox.
“Por, ne nuk do të lejojmë kërcënime fizike ose ndaj ndërtesës së guvernatorit në Utah”, shtoi ai.
Vendimet për të shtuar masat e sigurisë bazohen ose në madhësinë e protestave në të kaluarën ose në paralajmërimet e përgjithshme të lëshuara nga autoritetet. Disa guvernatorë kanë thënë se do të zbatojë masa vetëm për të qenë të kujdesshëm, pa pasur indikacione se mund të ketë protesta në ditët në vijim.
Masat e mbylljes në Uashington kanë lënë zbraztë rrugët kryesore, që zakonshëm, janë të mbingarkuara. Një gardh i madh me gjemba është vendosur përgjatë ndërtesës së Kongresit. Kryetarja e Uashingtonit ka thënë se kushdo që do të gjendet brenda perimetrit të vendit ku do të mbahet inaugurimi i Bidenit, do të ndalohet dhe do të merret në pyetje nga zyrtarët.
Kjo zonë përshin edhe disa monumente ikonë të Uashingtonit, përfshirë Monumentin e Linkolnit, ku zakonisht, turma të mëdha njerëzish mblidhen për të parë betimin e presidentit.
Edhe zona përreth Shtëpisë së Bardhë është mbyllur për qarkullim. Aty gjendet edhe një urë mbi Lumin Potomak, që lidh Virxhinian me Uashingtonin.
Zyrtarët kanë thënë se rreth 20,000 trupa të Gardës Kombëtare do të jenë të pranishëm në Uashington, por numri i tyre mund të rritet deri në 25,000.
Edhe përpara sulmit të 6 janarit në Kongres, në ceremoninë e inaugurimit të Bidenit pritej që të merrnin pjesë më pak persona, për shkak të shqetësimeve lidhur me pandeminë e koronavirusit. Shumë ngjarje të kësaj natyre, për shkak të pandemisë, janë zhvilluar virtualisht.
Presidenti i zgjedhur, Joe Biden tha më 15 janar, se edhe një ceremoni më e vogël e inaugurimit, me masa të shtuara të sigurisë, sërish do t’i japë botës “një shenjë të qartë se Amerika po rikthehet”.
Ai tha se është thellësisht i bindur se zyrtarët e sigurisë do të ofrojnë “dinjitet, paqe dhe siguri për këtë ngjarje”.
Presidenti Trump, i cili ka bërë pretendime të pabaza se ka pasur mashtrime zgjedhore, do të largohet për në klubin e tij të golfit Mar-a-Lago në Florida, në mëngjesin e 20 janarit, para se Bideni të betohet si president, kanë raportuar mediat, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar.
Më 13 janar, Dhoma e Përfaqësueseve ka votuar akuzat ndaj Trumpit, të cilin e akuzojnë për nxitje të kryengritjes dhe ai pritet të përballet me gjykim në Senat, pasi Biden të marrë postin e presidentit.