Fjalë Kyçe

Shtetin mund ta ndërtojmë vetëm duke kërkuar drejtësi

Shtetin mund ta ndërtojmë vetëm duke kërkuar drejtësi

Përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe në nderim të të rënëve në Likoshan e Qirez. Nga aty u tha se deri tash drejtësia është mohuar por është obligim institucional që të përndjekin, gjykuar dhe dënuar kriminelët e shtetit gjencidial serb.

23 vite më parë në Likoshan dhe Qirez, konkretisht te vendi i quajtur “Te tre lisat”, u zhvilluan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe. Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut rrethuan të dy fshatrat ku ekzekutuan 24 civilë të pafajshëm.

Ata sot u kujtuan dhe nderuan nga shumë qytetarë e përfaqësues institucional. Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, pas homazheve, tha se sot po nderojnë sakrificën dhe gjithë atë kontribut që kanë dhënë ata që bënë luftën frontale kundër forcave gjenocidiale serbe, por edhe të gjithë të rënët e martirët.

Kjo kujtesë historike dhe institucionale, sipas saj, u ndihmon mbi të gjitha që ta kujtojnë çmimin e lartë të lirisë që populli i Kosovës e pagoi.

“Është moment që ne sërish duhet ta ringrisim zërin tonë për drejtësi sepse vetëm duke kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat e shtetit gjencidial, pra viktimat e shtetit serb, sepse vetëm duke kërkuar drejtësi dhe vetëm duke kujtuar gjithë këtë sakrificë e cila na solli në këtë ditë, ne mund ta ndërtojmë shtetin tonë ashtu si duhet dhe ashtu si e ëndërruan të gjithë ata që ranë për të“, tha ajo.

Kurse, Albin Kurti tha se ky vend shënon qëndresën dhe sakrificën tonë por në anën tjetër edhe krimin shtetëror të Serbisë.