Fjalë Kyçe

Shtetrrethim i përgjithshëm në Itali, rekord rastesh në SHBA nga COVID-19

Shtetrrethim i përgjithshëm në Itali, rekord rastesh në SHBA nga COVID-19

Italia vendos sot një shtetrrethim të përgjithshëm dhe një rikufizim në disa prej rajoneve të saj, në një kohë kur Organizata Botërore e Shëndetësisë shqetësohet për një shpërthim të rasteve me COVID-19 në Europë, dhe kur SHBA-ja ka regjistruar një numër rekord kontaminimesh.

SHBA-ja mbetet vendi më i prekur në botë nga pandemia me 234 876 të vdekur. Një rekord me më shumë se 120 000 raste pozitive me COVID-19 u regjistrua gjatë 24 orëve të fundit, sipas Universitetit Johns Hopkins.

Në Itali, një shtetrrethim kombëtar nga ora 22:00 deri në orën 05:00 hyn sot në fuqi deri më 3 dhjetor.

Gjimnazet kalojnë në mësimin në distancë dhe muzetë janë mbyllur, gjithashtu edhe qendrat tregtare gjatë fundjavës.

Përveç kësaj, zonat e kuqe të reja si Lombardia, Piemonte, Valle d’Aosta dhe Kalabria – janë deklaruar “në rrezik të lartë” dhe 16 milionë italianë po i kthehen kufizimeve, megjithatë më të lehta se ato të pranverës së kaluar.

Përballur me një rrezik mbingarkesë të spitaleve, Greqia u detyrua të rikufizohet për tre javë.

Këto javët e fundit, Europa është epiqendra e epidemisë, rajon i botës ku koronavirusi po përhapet me shumë shpejtësi dhe që prej së enjtes, ka regjistruar shumë kontaminime.

Mbi 11,6 milionë raste, gjysma e të cilave në Rusi, Francë, Spanjë dhe Britani e Madhe dhe rreth 294 000 të vdekur.

“Ne po shikojmë një shpërthim të përhapjes së COVID-19, me një milionë raste shtesë vetëm në disa ditë në Europë dhe po vërejmë një rritje të numrit të vdekjeve”, nënvizoi Hans Kluge, drejtor i OBSH për Europën.

“Me mbajtjen e përgjithshme të maskës dhe një kontrolli strikt të grumbullimeve ne mund të shpëtojmë më shumë se 261 000 jetë deri në shkurt në Europë”, theksoi ai/AFP.