Fjalë Kyçe

Shtyhet miqësorja Shqipëri-Kosovë, e planifikuar të zhvillohej për 28 Nëntor

Shtyhet miqësorja Shqipëri-Kosovë, e planifikuar të zhvillohej për 28 Nëntor

Federata e Basketbollit e Kosovës ka konfirmuar se ndeshja mes Shqipërisë dhe Kosovës, e paraparë të zhvillohet më 28 nëntor në Shkodër, është shtyrë për një datë ende të pacaktuar, shkaku i tërmetit që e goditi Shqipërinë.

“Përkundër dëshirës së madhe për të shënuar ditën e Pavarësisë së shqiptarëve me një ndeshje vëllazërore, takimi nuk mund të zhvillohet, derisa Shqipëria është prekur nga një tërmet i fuqishëm, ku ka dhjetëra viktima dhe qindra të lënduar”, thuhet në njoftimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës.

“Ndeshja ishte paraparë të zhvillohej për nder të Ditës së Flamurit, derisa duhet theksuar se FBK-ja ka një bashkëpunim shumë të mirë me Federatën Shqiptare të Basketbollit, ku me kënaqësi kishte pranuar ftesën për të luajtur, megjithatë tashmë nuk mund të zhvillohet për shkak të gjendjes në Shqipëri”.

“Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ofron ndihmën e saj për vëllezërit tanë në Shqipëri për çfarëdo që kanë nevojë. FBK-ja shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të lënduarve u uron shërim sa më të shpejtë”.

Në shenjë solidarizimi me të prekurit nga tërmeti në Shqipërisë, FBK-ja ka bërë të ditur se janë shtyrë edhe ndeshjet e Superligës së Kosovës që ishin planifikuar të zhvillohen sot pasi që e mërkura është shpallur ditë zie.