Fjalë Kyçe

Shtypi slloven shkruan për ndryshim kufijsh të Bosnjës dhe Kosovës, reagon Tanja Fajon

Shtypi slloven shkruan për ndryshim kufijsh të Bosnjës dhe Kosovës, reagon Tanja Fajon

Politikania sllovene dhe shefja e grupit social-demokrat në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka reaguar pas letrës që ka publikuar një medium slloven, e në të cilën përshkruhet ridefinimi i kufijve të Ballkanit Perëndimor, specifikisht Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës.

Fajon ka thënë se një qasje e tillë është e rrezikshme, dhe sipas saj shteti slloven duhet të dal me një qëndrim rreth atij dokumenti, pavarësisht faktit, nëse ai dokument është hartuar në Slloveni apo jo.

“Ekziston një perceptim i rrezikshëm i politikës për Ballkanin Perëndimor në lidhje me Slloveninë, e cila kërcënon seriozisht besueshmërinë dhe suksesin e Këshillit tonë të BE-së. Pavarësisht nëse është një dokument i krijuar në Slloveni apo jo, dëmi që u krijua për vendin tonë është tashmë shumë i madh”, ka thënë Fajon.

“Është e nevojshme që të jepet një pozicion i qartë i Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor sa më shpejtë që është e mundur, në veçanti për Bosnjën”, ka shtuar tutje Fajon, raporton Express.

Ajo në fund ka thënë se e vetmja mënyrë për paqe, bashkëpunim është integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkim Evropian.