Fjalë Kyçe

Shumë paqartësi para vendimit për ndeshjen Maqedoni e Veriut – Kosovë

Shumë paqartësi para vendimit për ndeshjen Maqedoni e Veriut – Kosovë

Pesë të vdekur e 175 raste të reja me koronavirus janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut.

Vetëm në Shkup, ku edhe është paraparë të zhvillohet ndeshja gjysmëfinale e plejofit të Ligës së Kombeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, janë raportuar 131 raste të prekur me COVID-19.

Kjo situatë me pandemi në Maqedoninë e Veriut ka krijuar shumë paqartësi para vendimit nga Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA), shkruan Koha.

UEFA, të enjten, njoftoi se në videokonferencën e Komitetit Ekzekutiv të saj që është caktuar më 17 dhe 18 qershor planifikohet të bisedohet për datat e ndeshjeve të plejofit të Ligës së Kombeve. Në Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM), e po ashtu edhe atë të Kosovës (FFK), nuk mund ta parashikojnë vendimin e UEFA-s. Kanë shumë paqartësi nëse kjo ndeshje do të luhet para muajit nëntor dhe me apo pa shikues. Më herët, nga UEFA është paraparë të luhet në muajin shtator, tetor ose nëntor të këtij viti. Zëdhënësi i Federatës maqedonase, shqiptari Faton Zylbehari, ka thënë për “Kohën Ditore” se presin vendimin e UEFA-s për t’u bërë gati rreth organizimit të ndeshjes.

“Duke e ditur se dueli duhet të luhet në Shkup, në marrjen e vendimit gjithsesi se do të merren parasysh kushtet dhe situata në vendin tonë. Duke parë gjendjen momentale, nuk besoj se ka hapësirë për të dhënë çfarëdo parashikimi. Nëntori besoj se shihet si opsion për zhvillimin e ndeshjes. Pastaj temë tjetër është nëse takimi do të luhet me apo pa shikues dhe kjo sërish do të varet nga situata në vend. Ideale do të ishte të luhej me shikues, pasi vetëm ashtu do të mund të krijohet një spektakël i vërtetë, por kjo është situata dhe nuk është se kemi diçka në dorë për ta ndryshuar të njëjtën. Gjithsesi, në takimin e radhës, UEFA sigurisht se do të na japë më shumë detaje në lidhje me takimin e shumëpritur Maqedoni e Veriut -Kosovë”, ka thënë Zylbehari.

Ndeshja e Kosovës kundër Maqedonisë së Veriut është dashur të luhej në muajin mars, ndërsa më pas ishte shtyrë për në qershor. Por, për shkak të koronavirusit, ndeshja u shty sërish. UEFA, në një prej mbledhjeve të saja, nuk ka zyrtarizuar terminin e ri. Fillimisht ishte thënë se ndeshjet e plejofit do të luhen në shtator, por tani me shumë mundësi do të luhen në tetor dhe nëntor, gjithnjë nëse situata me pandeminë do të normalizohet. Por, kurdo që do të caktohet të luhet nga UEFA, Kosova do të jetë gati, ka thënë menaxheri i përfaqësueses, Bajram Shala. Por, Shala thotë se nëse nuk ka përmirësim të situatës, ndeshja mund të zhvillohet në ndonjë terren neutral.